English

USAID hap në Tiranë zyrën e re të Informacionit Bujqësor

Tiranë, 22 janar, NOA - USAID prezantoi sot një nismë të re për mbështetjen dhe zhvillimin e tregjeve bujqësore ne Shqipëri. Me prerjen e shiritit në tregun e shumicës në Tiranë, Sean Huff nga USAID dhe Tokli Thomai, zv/ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit inaguruan zyrën e Informacionit dhe Lehtësimit të Tregëtisë. Zyra në bashkëpunim me ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe me Unionin e Tregtarëve Agroushqimorë do të mbledhë të dhëna për disa prej produkteve bujqësore.

Por ajo do të shpërndajë informacione lidhur me çmimet, disponueshmërinë dhe tendencën e tregjeve ndërmjet tregtarëve të shumicës, si dhe do të lehtësojë veprimet e shitblerjes ndërmjet fermerëve dhe tregtarëve me shumicë.

Në ceremoni, Huff përshkroi mënyrën sesi zyra duhet t'u japë përgjigje problemeve që hasen në zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.

"Informacioni i besueshëm dhe i dhënë në kohë është çelësi për të reduktuar paqartësitë rreth tendencave të tregjeve, përmirësimit të konkurueshmërisë në lidhje me përfitimet e fermerëve si dhe do të ndihmojë fermerët që t'ju përgjigjen me më efikasitet kërkesave të tregut" tha ai.

Sipas tij, përmes programeve të tilla si hapja e kësaj zyre të re informacioni, USAID shpreson të rrisë konkurrueshmërinë e prodhimeve shqiptare qoftë në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

Programi i USAID-it Konkurrueshmëria e Bujqësisë Shqiptare (AAC) mbështet furnizuesit e inputeve, fermerët, përpunuesit dhe tregtarët e produkteve kryesore në rritjen e prodhimit, përmirësimin e cilësisë, përgjigjen efikase ndaj oportuniteteve dhe vendosjes së marrëdhënieve afatgjata të biznesit.

n.e/NOA

KOMENTE