Tiranë, 22 janar, NOA - Mjaft artistë shqiptarë dhe të huaj u mbodhën dje në mjediset e cirkut "Dorolla" në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë, në kuadrin e një spektakli të posaçëm të zhvilluar në shenjë solidariteti dhe mbledhje ndihmash për të përmbyturit e qytetit të Shkodrës. Emra të njohur të muzikës shqiptare si Redon Makashi, Sokol Shehu, Genc Dashi, Ilir Pema, Indrid Mesiti, Ermal Sela etj, u bashkuan në një aktivitet me artistë të huaj të cirkut "Dorolla" nga Holanda, Rusia, Kina etj.
Realiteti i dhimbshëm i krijuar në zonën e Qarkut të Shkodrës, duket e ka goditur edhe botën e artistëve, të cilët nuk duan që ajo që ndodhi të kalojë në heshtje dhe prandaj me zërin e tyre, në një koncert rok-u kanë kërkuar që të lëshojnë një mesazh ndihme për të përmbyturit.
"Në shumë vende të botës ku fatkeqësitë natyrore kanë goditur popullatat e tyre, artistët kanë qenë në krye të iniciativave të ndërmara për të dhënë kontributin e tyre pa qëllime fitimi. Dhe e kemi për nder të themi se dhe në Shqipëri mjaft artistë janë angazhuar që ta japin një kontribut të ngjashëm, me anë të këtij koncerti", ka pohuar organizatori i këtij aktiviteti, Mimmo Gianfreda.
Sipas tij, ky përbën një event artistik me rëndësi në Shqipëri, ku artistët bashkohen për një objektiv unik humanitar.
n.e/NOA