English

Çamët e PDU, 60 mijë euro për banorët e përmbytur në Shkodër

Tiranë, 23 Janar NOA - Pas thirrjes të drejtuar nga Këshilli Kombëtar i Partisë Drejtësi dhe Unitet, dhjetëra mbështetës të kësaj partie si edhe sipërmarrës janë solidarizuar me qytetarët e zonave të përmbytura në veriperëndim të vendit.

Me qëllim shprehjen praktike të këtij sensibilizimi, Partia Drejtësi dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të rinj, si edhe sipërmarrës, mbështetës të kësaj partie kanë udhëtuar paraditen e sotme në Shkodër, ku kanë dorëzuar ndihmën e tyre materiale dhe kanë shprehur mbështetjen morale ndaj qytetarëve të Shkodrës dhe Lezhës.

Delegacioni, i drejtuar nga kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi u prit nga prefekti i Qarkut Shkodër dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës.

PDU i dorëzoi shtabit të emergjencës një ndihmë prej 30 milionë lekësh, një transformator që mund të përdoret në lagjet e Shkodrës ose në fshatrat përreth, si edhe dhjetëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe dhe ushqim për bagëtinë, me vlerë më shumë se 40 mijë eurosh ose në total mbi 60 mijë euro në të holla dhe materiale.

Gjatë takimit të zhvilluar në shtabin e emergjencave, në emër të PDU-së, kryetari i kësaj partie, z. Shpëtim Idrizi tha se "shqiptarët u janë gjendur gjithnjë afër bashkëkombësve të tyre në rastet kur ata kanë pasur nevojë. Katastrofa të këtij lloji që ndodhin një herë në 100 vjet e vërtetojnë këtë fakt me solidarizimin e qindra mijë qytetarëve me banorët e Shkodrës dhe të Lezhës."

Duke folur mbi këtë solidaritet z. Idrizi vendosi theksin në rrënjët historike të solidaritetit shqiptar. "Cili komunitet tjetër mund të ishte më solidar sot sesa çamët, kur shqiptarët e tjerë, përfshi edhe shkodranët hapën dyert pas atij gjenocidi që u ndodhi dhe i ndihmuan me sa kishin mundësi" - tha z. Idrizi.

Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të mbështesin në rimëkëmbjen e zonës. "Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të gjenden në ndihmë të këtyre banorëve sot, duke mos pritur vetëm nga qeveria, e cila besoj se do të arrijë të menaxhojë nevojat e banorëve, por duke kontribuar në mënyrë aktive për popullsinë vendase.

Kryetari i këtij shtabi, prefekti i Shkodrës, z. Maxhid Cungu falënderoi PDU-në për këtë kontribut. "Solidarizimi i komunitetit tuaj që po shprehni sot këtu në Shkodër është për t'u falënderuar. Solidarizimi që po tregoni sot është mjaft i rëndësishëm për rimëkëmbjen e zonës", - tha z. Cungu, duke informuar të pranishmit mbi masat e marra për rikthimin e jetës në normalitet.

e.r/NOA

KOMENTE