Tiranë, 23 Janar NOA - Një doganier u arrestua sot publikisht në vendin e punës, nga specialistët e Antikrimit Ekonomiko-Financiar në Gjirokastër pasi akuzohet për shpërdorim detyre në vendkalimin kufitar të Kakavijës, informon korrespondentja e agjencisë NOA.
Syrja Misiraj, 35 vjeç, lindur dhe banues në Fier, me detyrë Doganier i Kontrollit Fizik në Degën e Doganës Kakavijë Gjirokastër u ndalua pasi Gjykata e Rrethit Gjirokastër me një vendim të marrë dy ditë më parë, ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg", për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës".
Hetimi për 35-vjeçarin nisi pasi më 11 dhjetor të vitit që shkoi, ndërsa punonte si doganier i Kontrollit Fizik në Degën e Doganës Kakavijë rreth orës 17.00, nga kjo doganë ka dalë pa kryer procedurat e zhdoganimit mjeti tip kamion me targa TR 1880 R / TR 1882 R i cili vinte nga Athina për në Tiranë
Ky mjet është bllokuar dhe kontrolluar nga Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Bllokimi u bë në hyrje të qytetit Tepelenë në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se ky mjet transportonte mallra ushqimore kontrabandë. (oriz, rio-mare, vaj, birra, pije freskuese, kartopeceta, etj.)
Nga kontrolli i ushtruar në këtë automjet rezultoi se malli ishte i pashoqëruar me deklaratë zhdoganimi nga Dogana e Kakavijës, - tha policia.
Për këtë mjeti dhe malli u sekuestruan si dhe drejtuesi i automjetit u arrestuan në flagrancë.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale rezultoi se në këtë ngjarje ishin të përfshirë edhe dy doganierë të cilët u shpallën në kërkim ku sot njëri prej tyre, 35-vjeçari Misiraj, është kapur në Pikën e Kalimit Kufitar, në Doganën e Kakavijës, ndërsa ishte në detyrë.
v.d/e.r/NOA