Pas humbjes që pësuan demokratët e tij në zgjedhjet për senat, në shtetin e Massachusettsit, Obama Obama pranoi se numri i madh i krizave e ka dobësuar lidhjen e tij me votuesit. Ai më tutje theksoi se ka qenë i mendimit se nëse përqendrohet në marrjen e vendimeve të mira politike, votuesit do ta kuptojnë atë. "Mendoj se ky ka qenë gabimi im", theksoi Obama
Nga Associated Press
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, theksoi se e ka injoruar gabimisht lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me popullin amerikan, pas fitores së republikanëve në shtetin e Massachusettsit, e cila zhvendosi baraspeshën e fuqisë në Uashington. Në anën tjetër, bashkëpunëtorët e Obamës insistuan se përpjekjet e tij historike për reformimin e sistemit shëndetësor nuk kanë vdekur, pasi që votuesit në Massachusettsit, ulësen e senatorit të ndjerë demokrat, Edëard Kennedy, ia dorëzuan kandidatit republikan, Scott Brown, duke vënë në dyshim realizimin e agjendës së presidentit amerikan. Pasi që u detyrua të gëlltisë goditjen që i dhanë votuesit, e cila nxiti një valë të shokut në radhët e demokratëve, pikërisht në vitin kur do të zhvillohen zgjedhjet e gjysmë-mandatit, Obama pranoi se numri i madh i krizave e ka dobësuar lidhjen e tij me votuesit. "Nëse është ndonjë gjë për të cilën pendohem këtë vit, atëherë është ky fakti se kemi qenë të zënë në përpjekje që të përballemi me krizat që kemi para nesh, me ç'rast e kemi humbur ndjenjën për dialogun e drejtpërdrejtë me popullin amerikan", i tha Obama, kanalit televiziv ABC. Ai më tutje theksoi se ka qenë i mendimit se nëse përqendrohet në marrjen e vendimeve të mira politike, votuesit do ta kuptojnë atë. "Mendoj se ky ka qenë gabimi im", theksoi Obama, duke diagnostifikuar me këtë rast dëshpërimin e hidhërimit dhe të dëshpërimit në SHBA, për shkak të pasojave të recesionit më të rëndë, me të cilin është përballur vendi gjatë dekadave të kaluara. Pranimi i gabimeve nga ana e Obamës bie ndesh me euforinë, e cila ka mbizotëruar pas inaugurimit të tij për president para një viti dhe me ndjenjën e shpresës, të cilën ai e nxiti, pas fitores që shënoi në zgjedhjet presidenciale në vitin 2008. Zgjedhjet për senat në Massachusetts nga vëzhguesit dhe nga republikanët janë cilësuar si referendum për vitin e parë të Obamës në Shtëpinë e Bardhë dhe për përpjekjet e tij për të zbatuar reformat në sistemin e sigurimit shëndetësor. Ky synim befas u bë shumë më i vështirë, pasi që republikanët ua morën demokratëve votën e 60-të në senat, gjë që do t'iu mundësojë atyre që të ngadalësojnë dhe të pamundësojnë miratimin e ligjeve nga ana e Shtëpisë së Bardhë. David Axelrod, këshilltari kryesor politik i Obamës, theksoi se përkundër shokut zgjedhor, amerikanët nga radhët e klasës së mesme, të cilët janë të goditur më së rëndi nga kriza në sistemin e sigurimit shëndetësor, do të vazhdojnë luftën për reforma. "Nuk është opsion që të largohemi nga problemi, i cili do të përkeqësohet edhe më shumë", tha Axelrod. Sidoqoftë, republikanët triumfin e tyre në Massachusetts e cilësuan si një shenjë të qartë se amerikanët dëshirojnë që Obama të frenojë ambiciet e tij për reforma. "Në shumë aspekte, ishte ky një referendum për çështjet e mëdha, me të cilat po përballemi ne në Kongres", deklaroi udhëheqësi i pakicës së republikanëve në senat, Mitch McConell. McConell gjithashtu theksoi se zgjedhjet në Massachusetts ishin gjykim i votuesve për strategjinë e liberalëve të Obamës, për të zmadhuar qeverinë. "Populli amerikan bëri të qartë se është më i interesuar për reduktimin e papunësisë, sesa për zmadhimin e qeverisë", tha McConell. Disa zyrtarë kryesues të demokratëve, përfshirë këtu edhe senatorin nga Pennsylvania, Bob Casey, theksuan se ka ardhur koha për të shqyrtuar opsionet në fushën e sigurimit shëndetësor. Humbja në Massachusetts vjen pas humbjeve të cilat demokratët i pësuan në zgjedhjet për guvernator në New Jersey dhe Virginia, shtete këto në të cilat Obama ngadhënjeu bindshëm në zgjedhjet në vitin 2008 dhe pasi që përkrahja për punën e tij ka rënë nën nivelin prej 50 për qind. Kongresisti demokrat nga Neë Yorku, Anthony Weiner, theksoi se demokratët nuk kanë asnjë mundësi tjetër, pos të dëgjojnë porosinë, të cilën e përcollën votuesit në Massachusetts. "Nëse kemi probleme në Massachusetts, do të kemi probleme në tërë vendin. Mendoj se presidenti duhet të zbret pak nga mali dhe të na ndihmojë që t'ia shesim popullit amerikan këto ndryshime, të cilat po tentojmë t'i bëjmë", tha Weiner.