Uashington, 23 janar, NOA - Ndërsa bota po hedh gjithmonë e më tepër dyshime mbi përdorimin apo jo të vaksinës që është kundër virusit AH1N1, i cili shkakton të ashtuquajturin "gripi i derrit", Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të lëshojë alarmin për përhapjen dhe rrezikun e madh që paraqet ende kjo sëmundje. Kështu, nga raportimi i fundit i kësaj organizate mësohet se numri i vdekjeve të shkaktuara nga virusi H1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrave, në shkallë globale ka shkuar në 14142.
Kjo shifër tregon se 588 raste vdekjesh janë shënuar vetëm gjatë javës që po lëmë pas. Ndërkaq, po sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thuhet se përhapjen më të madhe të virusit po e shohin vendet e Afrikës veriore, Azisë jugore dhe disa rajone në Evropën Lindore.
Raporti i OBSH shton më tej sakaq se numri më i madh të viktimave është shënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me së paku 7094 raste.
n.e/NOA