Tiranë, 23 Janar NOA - Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës dhe si i tillë mbart shumë vlera, për sa i përket trashëgimisë se kryeqytetit.
Ky mozaik i cili fillimisht u zbulua në vitin 1972, kishte disa vite që nuk restaurohej. Me projektin e financuar nga MTKRS bëri që mozaiku të restaurohej duke e rikthyer në gjendjen pas restaurimit të bërë për herë të parë në vitin 1976.
Ditën e sotme, pritet që Mozaiku i Tiranës të përurohet në orën 11.00 në rrugën e Kavajës, ku shiritin do ta presë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.
Arkeologët mendojnë se kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (vila rustika).
Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë, ishte ambienti kryesor i saj.
Autorët mendojnë që në shek. V-VI, vila u zëvendësua me një bazilikë paleokristiane.
Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut "Partizani" zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit, ndër të cilat më kryesoret ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme dhe një pitos i madh i periudhës së antikitetit.
Siti arkeologjik, ose me sakte kompleksi i vilës fshatare romake, është një dëshmi shumë e rëndësishme për identitetin historik te vendbanimeve të hershme ne kryeqytetin tone. Perceptimi në popullin e kryeqytetit është se Tirana, vendbanimet më të hershme i ka të shekullit 13-14 te erës sonë.
Në fakt ky mozaik dëshmon për hershmërinë e vendbanimeve në këtë qytet. Duke patur parasysh qe ne Tirane dhe veçanërisht pranë këtij monumenti ka rrënoja arkeologjike, DRKK Tirane do të paraqesë së shpejti një propozim për shpalljen e zonës rreth Mozaikut në Zonë Arkeologjike A.
Dhënia e këtij statusi do ta mbrojë me ligj këtë zonë në mënyrë që të ndalet kasaphana që i është bërë trashëgimisë të kryeqytetit.
a.r/NOA