"Tuneli i Kalimashit, vazhdon të jetë i mbyllur, dhe ende askush nuk jep shpjegime, as për atë çka ndodhi në tunel, e as për masat e marra nga kjo qeveri që rruga e kombit të bëhet sërish e kalueshme dhe e përdorshme nga qytetarët shqiptarë e kosovarë"
Tiranë, 23 Janar NOA - Partia Socialiste në një tjetër dalje për mediat, akuzoi sot qeverinë se po hesht për shembjet e rrugëve në akse të rëndësishme kombëtare dhe ilustroi me dëmtimin sipas saj prej 4 ditësh, të ndodhur në rrugën Durrës-Kukës.
Prej 4 ditësh, Ministria e Transportit hesht, duke u përpjekur të mbajë të fshehur të vërtetën e asaj që po ndodh me rrugën e kombit, - thuhet në një reagim të selisë rozë i përcjellë sot, nga deputeti i PS, Gjovalin Kadeli.
"Tuneli i Kalimashit, vazhdon të jetë i mbyllur, dhe ende askush nuk jep shpjegime, as për atë çka ndodhi në tunel, e as për masat e marra nga kjo qeveri që rruga e kombit të bëhet sërish e kalueshme dhe e përdorshme nga qytetarët shqiptarë e kosovarë", - vëren PS.
Fatkeqësisht, - vijon reagimi, - katastrofat e krijuara nga papërgjegjshmëria e Sali Berishës po vijnë njëra pas tjetrës, dhe qeveria e votave të vjedhura është kthyer në një skuadër zjarrfikësish, që ka gjithmonë një zjarr për të shuar.
Në këtë pikë, PS shtron një mori pyetjesh: "Çfarë po ndodh me rrugën e Kombit? Përse po shembet dita ditës, pjesë-pjesë? Ç'po ndodh në tunel? Kur do të hapet ai? Sa do të kushtojë? Po shembjet e pjesëve të tjera të rrugës, faji i kujt është? Përse po ndodhin? Kur do të riparohen? Sa do të kushtojnë riparimet dhe kush do i paguajë këto para?
Akoma po vazhdoni të merrni borxh për të larë borxhet ku një pjesë do ta përdorni për investime, mos vallë do ketë fatin e shpërdorimit të madh si më parë?".
Të gjitha këto pyetje, - vlerëson PS, - janë pyetjet e shqiptarëve, për të cilat qeveria e votave të vjedhura është e detyruar të japë përgjigje.
e.r/NOA