English

Shqiptarët mes dilemës etnike

Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare ka ngjallur debat në Shqipëri, duke rihapur çështjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë që qytetarët duhet të kenë, të mos deklarojnë përkatësinë e tyre fetare apo etnike. Por qeveria dhe partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut që mbrojnë këtë aksion, këmbëngulin po ashtu se duhen respektuar dhe të drejtat e atyre që duan ta theksojnë këtë identitet të tyre. Debati zhvillohet në një kohë kur vendi fqinj Greqia ka njoftuar se është e gatshme t'u japë shtetësinë emigrantëve shqiptarë që kanë origjinë greke, dhe kur ekspertët paralajmërojnë një spekulim të mundshëm me identitetin për shkak të standardit të ulët ekonomik dhe demokratik që Shqipëria ka në raport me vendet fqinje

Mero Baze*

Debatin për rrezikun nga vetëdeklarimi i identitetit etnik apo fetar, nuk e nxit as ksenofobia as ndonjë linjë e urrejtjes raciste në Shqipëri, por standardi i ulët që shoqëria shqiptare ka nga pikëpamja ekonomike, dhe liria e lëvizjes në raport me vendin fqinj, Greqinë.

Pa dashur të hyj në argumentet e të dy palëve, në atë të pakicës greke dhe qeverisë nga një anë dhe në atë të shumicës së ekspertëve historianëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit nga ana tjetër, një gjë shihet fare qartë, se frika buron nga fakti se shumë shqiptarë për të përfituar pasaportë greke, apo për të siguruar një liri lëvizje më të madhe do të jenë të gatshëm që siç kanë ndërruar emrat në Greqi, të ndërrojnë dhe fenë dhe identitetin e tyre etnik.

Kjo rihap një temë shumë delikate mbi vlerat reale të shoqërisë shqiptare dhe teston në një farë mënyre dhe disa tipare të deklaruara të shqiptarëve, siç është krenaria kombëtare, të cilat mund të vihen në dyshim. Ky debat bëhet shumë social nëse fillon e krahason atë çfarë i ofron një qytetari shqiptar, shteti i vet dhe atë çfarë i ofron shteti fqinj.

Shteti shqiptar i ofron varfëri, mungesë personaliteti, arbitraritet, grabitje prone, dhunim të lirive njerëzore, lirisë së shprehjes dhe lirisë ekonomike, ndërsa shteti fqinj, një vend anëtar i Bashkimit Evropian ja ofron të gjitha këto mundësi, por e kushtëzon tek identiteti.

Tanimë pyetja lind, a ja vlen që një shqiptar mesatar, me njëqind probleme të tilla në vendin e vet, të hezitojë për të mos deklaruar origjinë greke, në shkëmbim të gjithë standardeve të tjera pozitive? Kësaj dileme është gabim t'i përgjigjesh në këto kushte.

Është gabim, pasi në të gjitha rastet dikujt duhet t'i hysh në hak. Mbas të gjithash, kësaj pyetjeje nuk bën t'i japë përgjigje në këto kushte shteti shqiptar. Qeveria shqiptare është përgjegjëse për varfërinë, dhe standardin e ulët të lirive që ka prodhuar për qytetarët e saj.

Debati që ajo po hap është një debat luksoz, të cilin ajo nuk e përballon dot. Përgjigjja ndaj këtij debati në këto momente, do të jetë e gënjeshtërt, pasi qytetarët shqiptarë dhe këtu nuk kam parasysh pak vetë, do të zgjedhin standardet e lirisë dhe mirëqenies, para krenarisë boshe kombëtare në këto raste.

Prandaj do të ishte e udhës që ky debat të shtyhej për më vonë, atëherë kur së paku shqiptarët, të kishin standarde të krahasueshme me fqinjin tonë evropian.

Meqë konflikti real qëndron mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe problemi real është lëvizja e lirisë dhe varfëria, atëherë ky debat duhet të hapet kur ne dhe Greqia të jemi në kushte të krahasueshme sa u përket së paku këtyre dy fenomeneve.

Shqipëria duhet të fitojë njëherë të drejtën e lëvizjes së lirë, me qëllim që shqiptarët të mos joshen sa i përket identitetit vetëm për një leje qëndrimi dhe së dyti Shqipëria duhet të bëjë hapa serioze drejt luftës kundër varfërisë dhe korrupsionit me qëllim që shqiptarët të mos joshen për një copë bukë dhe një trajtim më dinjitoz nga shteti, në shkëmbim të identitetit të tyre.

Kështu që është mirë që qeveria para se të mendojë për një debat të tillë luksoz tani, le të punojë për liberalizimin e vizave dhe luftën kundër varfërisë e korrupsionit për t'i vënë qytetarët e saj në pozita të barabarta me ata fqinjë. Dhe kur të jemi të barabartë, atëherë jemi më të lirë dhe më të drejtë në zgjedhjen tonë.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet e shprehura janë personale

KOMENTE