English

Thaçi: Kosova, triumf në mbledhjen e OKB

"Mbledhja e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte jashtëzakonisht e suksesshme për Republikën e Kosovës"

Prishtinë, 23 janar NOA - Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, sot është mbajtur mbledhja e 107- të e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në hapje, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin e tij lidhur me takimin e Këshillit të Sigurimit i cili mbrëmë diskutoi raportin e fundit tremujor për vitin 2009 për Kosovën.

Kryeministri theksoi se mbledhja e mbrëmshme e KS të OKB ishte jashtëzakonisht e suksesshme për Republikën e Kosovës.

Ai tha se paraqitja e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni para KS ishte jashtëzakonisht dinjitoze, shumë argumentues dhe i vlerësimit të progresit të arritur në Republikën e Kosovës, progres ky i arritur si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, vend demokrati dhe shumetnik, me fqinjësi të mirë, me stabilitet rajonal dhe perspektivë euroatlantike.

Më tutje z. Thaçi tha se njohjet e reja për Kosovën, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me fqinjët - Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve të lira demokratike të para në Kosovën e pavarur, me organizimin e institucioneve vendore, integrimi i komuniteteve, janë vlerësuar dhe po mirëkuptohen dhe mbështeten nga të gjithë.

"Ky është një mesazh shumë i mirë për të gjithë se jemi në rrugë të mbarë të ndërtojmë vendin tonë sipas parimeve, standardeve dhe kritereve më të larta demokratike", - tha kryeministri.

"Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë, me të gjithë anëtarët e KS, sidomos me anëtarët e rinj, në mënyrë që t'i bindim se progresi është në të mirën e të gjithëve, prandaj mbështetja për Kosovën është mbështetja për një vend të lirë, demokratik, sovran me perspektivë euroatlantike, e në të njëjtën kohë me perspektivë që Kosova të jetë edhe pjesë e OKB", - tha z. Thaçi.

Ai shtoi se dhe strategjia e institucioneve të Kosovës, e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve dhe mekanizmave ndërkombëtarë është e përgjegjshme, e matur dhe do të jetë shumë efikase, në veçanti në sundimin e rendit dhe ligjit, legjitimimin e tri komunave të reja përmes procesit elektoral, krijimin e komunës së veriut, gjithashtu përmes një procesi demokratik, në përputhshmëri të plotë me dokumentin e Presidentit Ahtisari.

a.b/NOA

KOMENTE