Përmet, 24 janar NOA - Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i vjedhjes së kishës së "Shën e Premte" në Përmet.
Françesko Kasaj 31-vjeç lindur dhe banues në fshatin Zhepovë, të komunës Sukë Përmet është arrestuar mbrëmë pasi akuzohet për vjedhjen e kishës.
Burime nga policia thanë se mesditën e djeshme në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Përmet ka mbërritur një telefonatë nga një person i cili ishte me detyrë "Epitrop", në kishën "Shën e Premte", e cila ndodhet në lagjen Varosh të qytetit Përmet, dhe njoftoi se ka konstatuar derën e kishës të hapur.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Përmet si dhe grupi hetimor ku kanë konstatuar se dera e kishës ishte hapur me forcë dhe nga këqyrja e brendshme e kishës rezultoi se ishin vjedhur një kazan bakri që shërbente për pagëzim, dy shandanë që mbajnë qirinj, dy kryqe metalik bronzi, kupa e kungimit me ngjyrë argjendi, një tabaka kungimi bronzi, xhezve, ibrik dhe 6 gota të gjitha bronzi , thikë kungimi, një objekt metalik në formë zogu ngjyrë bronzi etj.
Specialistët e parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet nisën menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorit.
Vetëm pak orë pas nisjes së hetimeve policia mundi të zbulonte identitetin e autorit të dyshuar të vjedhjes së kishës, ndërsa në mbrëmje lokalizoi vendndodhjen e tij duke i vënë dhe prangat.
Françesko Kasaj për të shpëtuar nga arrestimi kishte fshehur gjysmat e sendeve të vjedhura në kishë, tek disa shkurre larg kishës dhe gjysmat në një banesë të braktisur, por të gjitha u gjetën dhe u sekuestruan nga policia.
k.k/NOA