EULEX-i nuk ka kohë dhe vullnet politik (guxim jo se jo) të merret me kriminelët e Serbisë në Kosovë, dhe as me politikanët e korruptuar. Ai nuk ka ardhur këtu as për ta hetuar pasurinë milionëshe të udhëheqësve politikë në vendin tonë. Jo. EULEX-i ka ardhur në Kosovë të arrestojë ushtarë të thjeshtë të UÇK-së dhe shqiptarë që kërkojnë vetëvendosje
Nga Vetëvendosje!
Sot EULEX-i e riaktualizoi procesin e montuar politiko-gjyqësor që UNMIK-u kishte filluar kundër Albin Kurtit gjatë vitit 2007.
Ky proces ka të bëjë me demonstratën e 10 shkurtit të atij viti. Në atë demonstratë policia rumune e UNMIK-ut vrau Arben Xheladinin dhe Mon Balajn si dhe plagosi mbi 80 demonstrues paqësorë.
Jo vetëm organizatat e mëdha ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, siç është, ta zëmë, Amnesty International, konkluduan se demonstruesit ishin përbrenda kornizës paqësore të protestës, por vetë raporti i Kryeprokurorit të OKB-së për këtë çështje, Robert Dean, megjithëse e fshehu arsyen e vërtetë politike dhe urdhërdhënësit politikë, erdhi në përfundim se reagimi i dhunshëm i policëve ishte gabim i shmangshëm i policisë.
Me rihapjen e rastit të Albin Kurtit, EULEX-i ka zgjedhur paturpësisht t'i vazhdojë plumbat e UNMIK-ut. Albin Kurti padrejtësisht u mbajt në burg nga UNMIK-u për gati një vit (shkurt 2007-janar 2008) dhe me aminin e udhëheqësve politikë të Kosovës. Ai u mbajt në burg për krimet që UNMIK-u i kishte bërë vetë më 10 shkurt 2007.
Albin Kurti, së bashku me 14 aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, janë njerëzit e vetëm që kanë qëndruar në burg për rastin e 10 shkurtit. Në vend që të arrestoheshin kriminelët, u arrestuan të vrarët, të plagosurit e demonstruesit paqësorë.
Politikanët e Kosovës, si bashkëpjesëmarrës në këtë krim, heshtnin dhe gëzoheshin. Se EULEX-i jo vetëm që po e vazhdon misionin e UNMIK-ut por edhe krimet e tij, tregon më së miri edhe nxjerrja nga sirtarët e pluhurosur të UNMIK-ut të këtij rasti të montuar politik kundër udhëheqësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
EULEX-i nuk po ka kohë të merret me gabimet e veta: ai po mbron krimet e UNMIK-ut. Vetë UNMIK-u e ka pranuar krimin dhe e ka mbyllur procesin. Kurse EULEX-i po e konsideron ende të përdorshëm këtë krim të UNMIK-ut.
UNMIK-u u mbrojt nga krimi i vet: policët rumunë u kthyen në shtëpitë e tyre, kurse Komisari i Policisë, Steven Curtis iku nga Kosova; familjarët e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nuk u lejuan që ta padisin UNMIK-un në të vetmin vend ku është e mundur - në Panelin Këshillues të të Drejtave të Njeriut, të themeluar nga vetë UNMIK-u.
Jo se ra ky rast e ne e njohëm fytyrën e vërtetë të EULEX-it.
Ne e kemi parë këtë fytyrë gjatë vitit 2008, atëherë kur EULEX-i pranoi që të hynte nën ombrellën e UNMIK-ut, dhe që të vendosej nëpër Kosovë pasi pranoi kushtet e Beogradit.
Këto kushte ishin që EULEX-i të vepronte si UNMIK i ri nëpërmjet Rezolutës 1244, meqë Serbia vetëm UNMIK-un e pranon, UNMIK-un për të cilin dritën jeshile më 1999 e dha vetë Milosheviqi.
Dhe nuk mund të presësh mjaltë nga miza, apo jo? Ne e pamë fytyrën e këtij misioni kur ai u pajtua të mos ia prekte strukturat paralele Serbisë, të cilat e luftojnë dhe e pamundësojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Edhe kur ai e nënshkroi Protokollin për bashkëpunim Policor me Serbinë gjatë vitit të shkuar. Dhe nuk është hera e parë as e fundit që do të njohim EULEX-in gjithnjë e më shumë. Protokolle tjera do të vijnë dhe EULEX-i do të punojë për Planin 6 Pikësh.
EULEX-i ka marrë nga UNMIK-u 1,200 dosje për raste të veçanta. Shumica prej tyre janë dosje politikanësh të korruptuar, krim politik e ekonomik.
Por EULEX-i i ka lënë këto dosje me një anë dhe ka zgjedhur riaktualizimin e procesit të turpit, që rri si njolla më e shquar e zezë në biografinë antishqiptare të UNMIK-ut, për ta treguar kaq vendosmërisht zellin e tij proserb.
Albini është thirrur që të shkojë në gjykatë më 15 shkurt.
Lëvizja VETËVENDOSJE!