English

Konfindustria rendit arsyet pse duhet kryer një "amnisti e thellë fiskale"

Tiranë, 24 Janar NOA - Konfindustria i kërkon Qeverisë Shqiptare, që në një kohë sa më të shpejtë, të vlerësoj me përgjegjshmëri kryerjen e një amnistie të thellë fiskale në vend, që duhet të preki pa përjashtim kapitalin, asetet dhe të ardhurat e bizneseve dhe gjithë qytetarëve shqiptare.

Për Konfindustrinë, është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësire kohore 20 vjeçare të ndryshimeve të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Europë përfshi këtu edhe vendet e BE, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë.

Konfindustria i kërkon Qeverisë Shqiptare, që në një kohë sa më të shpejtë, të vlerësoj me përgjegjshmëri kryerjen e një amnistie të thellë fiskale në vend, që duhet të preki pa përjashtim kapitalin, asetet dhe të ardhurat e bizneseve dhe gjithë qytetarëve shqiptare. Gjendja e vështirë ekonomike e vendit, i përfshirë ndjeshëm nga pasojat e krizës globale financiare dhe ekonomike, e bëjnë domosdoshmëri kryerjen sa më të shpejtë dhe të gjerë të amnistisë fiskale.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria, tha sot në një dalje për mediat se vonesat kohore të kryerjes së amnistisë fiskale në Shqipëri kanë patur ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e dukurisë thellësisht shqetësuese të largimit të parave shqiptare në sasi jashtëzakonisht të mëdha jashtë vendit.

Buxhuku theksoi se këto vonesa po ashtu, kanë sjellë frenimin e nismave investuese nga biznesi dhe qytetarët në ekonomi dhe tërheqjen e kursimeve të emigracionit të shumtë shqiptar nga bankat e huaja.

Konfindustria vlerëson se ka 2 arsye të tjera madhore, që e bëjnë jashtëzakonisht të rëndësishme kryerjen e një amnistie fiskale të thellë dhe të shpejtë në vend:

Së pari, pothuaj të gjithë vendet e BE dhe vendet e tjera të Europës kanë kryer ose janë në vazhdim të zbatimit të amnistisë fiskale.

Si rrjedhim çdo vonesë e Shqipërisë krijon rrezikun e shtimit të daljes së parave shqiptare jashtë vendit për të kaluar në sistemet bankare të vendeve të tjera, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në sistemin tonë fiskal dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Së dyti, kryerja e amnistisë sa më të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse fiskale bëhet domosdoshmëri në kushtet e hyrjes në fuqi të Ligjit Antimafia, që në rast të kundërt rrezikon seriozisht pasurinë dhe kapitalet e një shumice dërrmuese të biznesit dhe qytetarëve, me pasoja pothuaj shkatërruese mbi ekonominë shqiptare.

Është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësire kohore 20 vjeçare të ndryshimeve të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Europë përfshi këtu edhe vendet e BE, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë.

Buxhuku ilustroi në fund të deklaratës së tij, se vetëm me amnistinë fiskale në fund të vitit 2009 Italia përfitoi afër 100 miliardë euro të hyra në sistem ndërkohë, që sikundër vendet e zhvilluara të BE, në mënyrë të rregullt në çdo 2-3 vjet ky vend kryen amnisti fiskale.

"Ndërkohë, deri në vende të tilla si vendi më i varfër në Europë, Moldavia po kryen me përfitime të mëdha financiare amnisti të thella fiskale", - paralajmëroi Buxhuku.

e.r/NOA

KOMENTE