English

Mbërrin nga Oz, "Rrëfim për dashurinë dhe errësirën"

Tiranë, 24 Janar NOA - I vetmi shkrimtar në botë pretendent për dy çmime Nobel, për Letërsi dhe Paqe, Amos Oz flet sërish shqip me veprën e tij monumentale "Rrëfim për dashurinë dhe errësirën".

Këto ditë doli në treg një nga veprat më të rëndësishme të autorit izraelit Amos Oz, të titulluar "Rrëfim për dashurinë dhe errësirën", përkthyer nga Etleva Pushi dhe Sokol Bega.

Kjo vepër vjen pas botimit në shqip të romanit "Të njohësh një grua", libër që u prit me shumë interes nga lexuesi shqiptar.

Amos Oz botohet ekskluzivisht nga Skanderbeg books në gjuhën shqipe dhe pas kësaj vepre ky autor do të prezantohet me romanin "Mikaeli im" dhe vepra të tjera në vazhdim. "Rrëfim për dashurinë dhe errësirën", një libër voluminoz me 656 faqe, i botuar në 41 gjuhë të botës, është cilësuar nga kritika si një ndër librat më të rrallë autobiografikë të shkruar ndonjëherë.

Dy fjalë për veprën

"Rrëfim për dashurinë dhe errësirën" është një sagë familjare dhe një nga librat autobiografikë më të bukur të shkruar ndonjëherë në historinë e letërsisë.

Është historia e një fëmije që rritet në një qytet të ndarë nga lufta, siç Jerusalemi i mesit të shekullit të kaluar, në një apartament të ngushtë, i mbytur përreth tij nga librat në gati dymbëdhjetë gjuhë dhe moria e po aq gjuhëve të folura nga njerëzit përreth tij, gjyshërit, prindërit dhe të afërmit.

Është historia e një adoleshenti, jeta e të cilit ndryshoi pas vetëvrasjes së të ëmës kur ai ishte një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar.

Është historia e një burri, i cili jetoi mes kundërshtive të familjes dhe pirgut të ëndrrave të tij, mes shkollarëve dhe pasunarëve të rrënuar, një burri të rritur në kibic, i cili ndërron mbiemrin, e një burri që adhuron familjen, për të pohuar një aksiomë se "familja është institucioni më i mistershëm dhe më tërheqës në botë."

Është historia e një shkrimtari që bëhet pjesëtar aktiv në jetën politike të atdheut të tij e që ndalet të rrëfejë këtë histori tronditëse.

Dashuria dhe Errësira janë dy burime të fuqishme energjie që përshkojnë këtë rrëfim të jashtëzakonshëm. Amos Oz merr një rrugëtim letrar nëpër fëmijëri dhe adoleshencën e tij, përmes rrugëve të Jeruzalemit fatal, nëpër martesën e ferrit mes dy njerëzve krejt të ndryshëm, një babai nervoz dhe të arsyeshëm dhe një nëne romantike dhe ëndërrimtare. Gjahu mes këtyre dy botëve të ndryshme, është një djalë i vogël që do ta mbajë gjatë peshën e moshës në shpinë.

Në rrëfimin e Oz parakalon jeta e një shekulli të tërë të familjes së tij, saga e dashuri-urrejtjes me Evropën, cinizmi i dashuri-urrejtjes me arabët.

"Rrëfim për dashurinë dhe errësirën" është një libër tragjik, komik dhe pafundësisht transparent, një libër i shitur bujshëm dhe i lexuar me etje nga miliona lexues në të gjithë botën.

Është autoportreti magjik i një shkrimtari që jeta e shtyu të ishte dëshimitar i lindjes së një atdheu që ende jeton përmes historisë së tij të turbullt.

Thanë për Oz

"Amos Oz është zëri i qartë mes kaosit."

Nadime Gordimer

"Një kujtesë e (pa) shlyeshme."

New York Times

Më poshtë gjendet pjesë nga intervista e shkrimtarit Amos Oz për lexuesin shqiptar dhënë gazetares Rudina Xhunga në muajin tetor 2008:

Rudina Xhunga: Të flasim pak për Shqipërinë dhe Kosovën gjithashtu, sepse kur Kosova shpalli pavarësinë e saj unë kisha me vete librin tuaj, kur tregoni pavarësinë e Izraelit.

Amos Oz: Unë nuk di mjaftueshëm për historinë dhe rrethanat e Kosovës, por në mënyrë instiktive, kur një popull shpall pavarësinë e tij, simpatia ime është me të. Kjo është e vërtetë përsa i përket izraelitëve, kjo është e vërtetë për palestinezët, dhe kjo është e vërtetë edhe për kosovarët.

Po për historinë që lidh Shqipërinë me Izraelin, për kohën kur holokausti na bashkoi dhe shqiptarët i hapën dyert izraelitëve?

Ne gjithmonë do ta kujtojmë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer, dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë.

Flasim pak për librin tuaj ‘Rrëfenjë për Dashurinë dhe Errësirën". Mundem t'ju tregoj diçka personale? E dua shumë këtë libër, më shumë se çdo libër tjetër tuajin. E kam lexuar si dikur në adoleshencë ‘Harkun e Triumfit', me të njëjtin ankth mos mbaronte.

Faleminderit shumë për fjalët e ngrohta. Nëqoftëse do më duhet të përgjigjem me një fjalë të vetme për çfarë bëjnë fjalë të gjithë librat e mi dhe jo vetëm ky libër, me një fjalë të vetme do të thosha: për familjet. Nëqoftëse do të më jepni mundësinë e dy fjalëve, unë do të thosha: për familjet e palumtura. Dhe nëqoftëse do më jepni më shumë se dy fjalë do të thosha: Duhet të lexoni librat e mi. Unë mendoj se familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksal në botë, më i çuditshmi në botë, më ekzotiku në botë, dhe më interesanti në botë. Nëqoftëse do më jepnin mundësinë të zgjidhja midis dy dëshirash, mundësia e parë është të jem në satelitin e parë që do të shkojë për në Mars, dhe mundësia e dytë të kaloj një ditë të vetme dhe një natë të vetme në shtëpinë e cilesdo familjeje, nuk ka rëndësi se e kujt familjeje, si një mizë në mur, unë do të zgjidhja të isha miza dhe jo astronauti.

Kush është Amos Oz?

Amos Oz (ose Amos Klauser) është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm sot në botë dhe shkrimtari më i njohur izraelit dhe një nga opinionistët dhe analistët më të njohur në botë. Ka lindur në Jeruzalem, Izrael në vitin 1939.

Është botuar në 45 gjuhë të botës dhe vepra e tij përfshin një numër të madh romanesh dhe veprash eseistike, një pjesë e mirë e tyre kushtuar probleme të paqes në Lindjen e Mesme dhe të konfliktit mes Izraelit e Palestinës.

Vepra e tij e fundit titullohet "Jeta rimon me vdekjen".

Amos Oz u bë i njohur në botë fillimisht përtej mureve të letërsisë izraelite me romanin "Michaeli im" (My Michael), një vepër e thellë mbi vetminë dhe bjerrjen e durimit. Artur Miler e cilësoi pas botimit autorin e saj si "një nga autorët më finë të kohës sonë". "Micheli im" është quajtur gjithashtu nga kritika botësore si "Madamë Bovary" e Izraelit modern.

Vepra më e rëndësishme e Amos Oz mbetet "Rrëfim për dashurinë dhe errësinë", të cilën unë e konsideroj si planeti mëmë i galaktikës letrare Oziane dhe veprat e tjera satelite që mbushin dhe konfigurojnë tërësinë e saj siç: Të njohësh një grua, Kutia e zezë, Micheli im, I njëjti det, Jeta rimon me vdekjen, Mos e thirr natë, Fima (ose Kushti i tretë), Drejt vdekjes, Diku ndoshta, Si të kurosh një fanatik, Pantera në bodrum, Preke ujin preke erën, Paqja perfekte, Në tokën e Izraelit, Historia filloi, etj.

Amos Oz është një njeri paqësor, megjithëse idhtar i Zionizmit, është angazhuar qysh në vitet 60-të me lëvizjen "Izrael Peace Noë". Lufta jonë, nuk është luftë pro-Izrael, as pro-Palestinë, por pro-Paqe.

Kjo është kaq e vërtetë sa Oz gëzon simpatinë edhe mes arabëve dhe palestinezësve. Vepra e tij më e rëndësishme "Rrëfim për dashurnë dhe errësinë" është botuar arabisht nën kujdesin e familjes së një të riu izraelo-palestinez George Khory, i vrarë barbarisht nga terroristët palestinezë si një urë lidhëse të paqes mes dy popujve.

Amos Oz një figurë kritike ndaj politikës së vendit të tij dhe shpeshherë është cilësuar si bukëshkalës i krenarisë kombëtare, pikërisht për shkak të pikëpamjeve të tij, njëlloj siç ka ndodhur edhe me Orhan Pamuk. "Izraeli", thotë Oz, "është një fshat në faqet e një vullkani".

Momentet më të rëndësishme në jetën e Amos Oz

Në moshën 8-vjeçare ai kujton të atin kur i pëshpërit në natën e 29 nëntorit në të gdhirë të 30 nëntorit të vitit 1948, ditën kur Kombet e Bashkuara njohën shtetin e Izraelit, i cili me lot në sy i ka thënë: "Dikur jemi keqtrajtuar vetëm se ishim hebrenj, ti kurrë mos lejo të keqtrajtosh vetëm se je hebre."

Amos Oz ka lindur, është rritur dhe është rrethuar gjithë jetën nga njerëz të lidhur me dijen. Nëna e tij fliste 4-5 gjuhë dhe njihte të lexonte 7-8 gjuhë. Babai i tij fliste 11 gjuhë dhe arrinte të lexonte 16 të tilla. Të gjitha këto japin tek ai inpaktin e madh të rritjes jo në kushte të rëndomta.

Në moshën 9-vjeçare përjeton se nga plasja e një granate i vritet breshka e tij, kafsha me të cilën ndante intimitetin e tij fëminor.

Në moshën 12-vjeçare përjeton vetvrajen e së ëmës, gjë që do të lërë gjurmë të thella në jetën e tij. Në fillim urrejtja që ndjen për braktisjen që ndien dhe më vonë ndjenja e fajit dhe kërkimit të tij. Vetëfajësimi i tij duke pyetur veten: "Po t'i kisha bërë më mirë detyrat e shtëpisë, a do ta vriste veten nëna?"

Në moshën 15 vjeçare rebelimi që i bën të atit, një zionist ultra i djathtë dhe adaptimi nga familja Hulda, jeta e tij nga ajo kohë në kibutzin Hulda dhe kthimi aty edhe pas studimeve universitare. Ai kalon aty 25 vjet të jetës së tij.

Pjesëmarrja në dy luftëra: atë të vitit 1967 në "Six Day War" dhe në 1973 në "Yom Kippur War", do të ndikojnë fuqishëm në krijimin e koncepteve të tij mbi paqen, misionar i së cilës ai do të bëhet gjithë jetën e tij.

Puna si profesor në Universitetin "Ben Gurion" në Ber Sheeva, udhëtimet e vazhdueshme dhe çmimet e shumta letrare do ta bëjnë shpejt të njohur në gjithë botën.

e.r/NOA

KOMENTE