English

PD, Mëhilli: PS ant-global, Agjencia Kombëtare Bërthamore është detyrim kombëtar

Tiranë, 24 janar NOA - Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli ka reaguar sot për deklaratën e deputetit të PS-së Ervin Bushati i cili u shpreh sot publikisht se Berisha po kërkon heqjen e vëmendjes nga kriza me vendimin e krimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore.

"Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e tjerë të nomenklaturës së vjetër, sot shfaqën para publikut dimensionin e tyre anti global. Ata u ngritën kundër krijimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, e cila përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e integrimit të saj euro-atlantik.

Agjencia Kombëtare Bërthamore ka si mision shumë të rëndësishëm përgatitjen e një kuadri modern ligjor për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë nga të gjitha format e rrezatimit bërthamor.

Kjo agjenci ka për detyrë të përgatisë të gjithë infrastrukturën ligjore për përdorimin më të gjerë të mundshëm të energjisë bërthamore për qëllime paqësore, përfshirë këtu përdorimin e këtij burimi energjetik për prodhimin e energjisë elektrike" tha Mëhilli.

Sipas saj, paragjykimi dhe denoncimi i këtij vendimi shumë të rëndësishëm për vendin nga ana e Edvinit dhe bllokmenëve të rinj është thjesht një qëndrim atavist i bazuar në doktrinën e etërve të tyre historik e biologjik por kryekëput i pavlerë në kohët e sotme.

"Përsa i përket kërcënimit për referendum, PD e njeh si legjitim dhe mjet demokratik referendumin por sa mund ta thërrasin atë ata të cilët provuan referendumin në Partinë e tyre, por që siç u pa përfundoi si "Kokoshi një Thelë", ku sipas vetë statistikave të tyre nga 87.000 anëtarë të kësaj partie morën pjesë gjithsej 6735 votues" përfundoi zëdhënësja e PD.

k.k/NOA

KOMENTE