Në Kosovë, më shumë se kudo në Ballkan, ka nevojë për një qasje e re ndaj vlerave dhe moralit të politikës. Duhet të japim shembull dhe ta rrisim besimin tek populli se gjithmonë mundet më mirë, por edhe atëherë kur e marrim besimin për të qeverisur - të qeverisim më mirë
Mimoza Kusari Urimi im për vitin 2010, në njërën prej të përditshmeve tona, ishte për heronjtë e rinj, për ata që veprojnë ndryshe, për ata që marrin guximin të shprehen me zë të lartë kur mendojnë ndryshe. Sot më shumë se kurrë mendoj për inkuadrimin e të rinjve në procesin e vendimmarrjes. Ja disa prej arsyeve pse duhet të kemi mënyrë të re të bërjes së politikës në Kosovë. Komunikimi me bazën Vit pas viti shohim rënie në numrin e votuesve në Kosovë. Shumë e arsyeshme, pasi më në fund u kuptua se komunikimi aktiv me bazën ndodh një herë në 2 vite, në fushatë (ose para fushatë) para zgjedhjeve lokale ose atyre të përgjithshme. Ky komunikim në fushatë është i njëanshëm, partitë politike premtojnë, ndërsa populli dëgjon dhe shpreson se kësaj radhe të paktën gjysma e këtyre premtimeve do të realizohen. Votim pas votimi, tek kutitë do të mbesin vetëm ata që nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër pos të besojnë se ndoshta do të behet më mirë dhe ndoshta vota e tyre do t'i shpëtojë vjedhjes. Komunikimi me bazën duhet të vazhdojë, por jo duke i treguar bazës pse duhet të kemi zgjedhje tjera, por duke i dëgjuar hallet e tyre dhe duke rekomanduar zgjidhje reale për problemet e tyre, bashkë me ta. Mbi të gjitha, duke e respektuar bazën dhe duke ia vlerësuar durimin dhe maturinë e treguar në tërë decenien e fundit kur klasa politike në Kosovë ende nuk është mësuar t'i vendosë hallet e qytetarit para të partisë. Komunikimi në mes vete Vërehet që partitë nuk po mund të komunikojnë qartë në mes vete në raportin qendër - degë dhe vice versa, e lëre më me bazën. Edhe ne në AKR e patëm dhe e kemi pjesën tonë të fajit në komunikimin intern. Prandaj, them se duhet t'i kuptojmë hallet e të tjerëve, të kuptojmë pse ekzistojmë ne si subjekte politike. Partitë në koncept duhet të jenë bashkësi të njerëzve me ideologji të njëjtë dhe botëkuptime të njëjta. Mund të mos pajtohemi për detaje, por parimet duhet të ekzistojnë dhe atyre duhet t'iu përmbahemi. Por, prehja në këtë situatë për subjektin tonë është se pakënaqësi dhe divergjenca në mendime shohim në të gjitha partitë në Kosovë pa përjashtime, varet se si i kontrollojnë ato dallimet në mendime, sa është ndikimi dhe në cilën mënyrë lideri i ulë të gjithë zërat ndryshe dhe të pakënaqur, duke e kontrolluar situatën përball opinionit. Por, ndoshta duhet të kemi më shumë komunikim dhe më shumë debate në mes vete dhe të arrijmë të kuptojmë një gjë: ose do të veprojmë për interesat e votuesit, ose nuk do të veprojmë fare. Si subjekt relativisht i ri politik, them se kemi shansin shumë të mirë të vazhdojmë me më shumë ide të reja dhe mënyra të reja të të menduarit. Në mendimin e shkollës së biznesit thuhet se nuk mund të kesh sukses nëse vazhdon t'i bësh gjërat në të njëjtën mënyrë dhe të presësh që ndryshimi të ndodhë vetvetiu. Këtë e vërejmë te disa subjekte të cilat tregojnë dhe proklamojnë se kanë ide dhe vizion të ri, por njerëzit mbesin të njëjtit e asgjë nuk ndryshon në mënyrën e të sjellurit dhe atë të menduarit nga ajo çfarë ka qenë një dekadë më herët. Fjalori i ri Shpallja e pavarësisë e varfëroi fjalorin e politikës së Kosovës. Deklaratat e llojit: "Me ne, Kosova vendi i pavarur dhe sovran, i integruar në strukturat Euro Atlantike", janë zëvendësuar me: "Me ne, Kosova në Evropë". Çfarë prezanton koncepti evropian për dikë në fshat që nuk është as 5 km larg zonës urbane dhe nuk ka qasje në ujë të pijes dhe kanalizim (siç ndodh në fshatrat e shumë komunave në Kosovë)? Çfarë koncepti evropian do t'ia prezantojë një subjekt politik një familjeje shumanëtarëshe me vetëm një të punësuar? Ndoshta politika do ta ndryshojë fjalorin kur në esencë do ta kuptojë hallin e popullit të cilit ia kërkon besimin me aq ngulm. Etika e re e politikës Kosovës i duhen politikanë të cilët prezantojnë vlerë në të gjitha sferat e jetës. Duke filluar nga etika dhe ruajtja e vlerave të familjes, e deri te e shumëpërfolura lufta ndaj korrupsionit. Çfarë etike prezanton politika kosovare, kur fshehtësi publike është jeta e shumëfishtë private e një numri të konsideruar të politikës sonë? Familja është një ndër institucionet e rralla që kanë arritur të jenë me strukturë në dekadën e fundit, por për vlerat e familjes nuk kanë respekt as politika e as partitë politike. Jam e sigurt se sikur të kishim më shumë respekt për familjen, për vlerat e saj dhe për anëtarët e saj, do të kishim më shumë respekt edhe për veten, politikën dhe me siguri do të kishim më shumë femra në politikë. Shumë luftë bëhet se si nuk kemi qasje në pushtet që të mund ta keqpërdorim atë përderisa e keqpërdorë dikush tjetër. Në Kosovë, më shumë se kudo në Ballkan, duhet një qasje e re ndaj vlerave dhe moralit të politikës. Duhet të japim shembull dhe ta rrisim besimin tek populli se gjithmonë mundet më mirë, e edhe kur e marrim besimin për të qeverisur - të qeverisim më mirë. Sot kemi parti të zhgënjyera se nuk qeverisin në qendër, edhe pse në nivel komunal qeverisin dhe ajo qeverisje nuk ndryshon aspak nga ajo që e kritikojnë në qendër. Qeverisja lokale e një partie është shembull se si do të qeverisë ajo në qendër. Kur shoh parti opozitare të qeverisin në nivel komunal dhe punësojnë në baza partiake, përjashtojnë në baza partiake, ndërtojnë dhe eksproprijojnë në baza partiake, pyes veten, si mund të jenë këta më ndryshe nëse qeverisin në qendër? Prandaj, të gjithë ata që synojnë të tregojnë se do të bënin ndryshe, le të na dëshmojnë duke bëre ndryshe aty ku tani kanë shansin dhe pushtetin. Fytyra dhe emrat e panjohur, megjithatë e kanë të mundur suksesin Fitorja e republikanit Skot Broun (Scot Brown) si Senator në zgjedhjet e veçanta në shtetin amerikan Massachusetts, pas vdekjes së senatorit nga familja demokrate Ted Kennedy, vëllait të presidentit të ndjerë John F. Kennedy, solli një fllad të ri në politikën amerikane. Menjëherë, një kandidat i panjohur u prezantua si i ri, karizmatik, me përvojë prej ushtarit që shërbeu në Kazakistan dhe Paraguai për trupat amerikane, tek manekini i cili pozoi për t'i financuar studimet, shkundi themelet e demokrateve duke i dhënë fund entuziazmit të zgjedhjeve të Obamas. Në anën tjetër, në politikën kosovare kemi vazhdimisht deklarata për të rinjtë se janë të ri në politikë, nuk dinë shumë nga politika dhe nuk do të kenë sukses tek populli. Për të gjithë ata që e kanë këtë mendim, ja një e vërtetë e hidhur: ndoshta nuk na duhet shumë të mësojmë nga politika dhe retorika e vjetër. Fytyrat e reja me etikë dhe me vlera të reja i duhen më shumë se kurrë Kosovës. Na duhet një gjuhë më e afërt dhe konkrete duke mos harruar pse ekzistojmë dhe pse jemi krijuar si subjekte, së pari t'i shërbejmë popullit e pastaj vetes, në të kundërtën mund të krijojmë subjekte individuale (nëse kemi ide për to). Mos t'i ngarkojmë të tjerët me paaftësitë tona për të shërbyer dikë tjetër, përveç vetes.
"Express"