English

Publicisti Nano sjell "Hinterlandi i kuq"

"Hinterlandi i Kuq-20 vjet më pas" është botim i ri i publicistit Mustafa Nano dhe një rrekje e tij për të treguar jetën e një qyteti provincial, ku ka kaluar një pjesë të madhe të jetës

Nga Milena Selimi

Tiranë, 24 Janar NOA - Ditët e fundit ka ardhur për publikun shqiptar, libri i publicistit Mustafa Nano "Hinterlandi i Kuq-20 vjet më pas". Ai është promovuar në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës dhe është pjesë e kolanës eseistike UET/Press.

Të ftuar të shumtë kanë vlerësuar risinë e autorit, por më shumë kumtin e provincës të ardhur nga një pjesëtar i saj, siç është edhe vetë autori. Henri Çili, ideatori i kësaj kolane, ka thënë se: vepra e Nanos është një nga ato vepra të rralla që janë dëshmi e një kohe të shkuar e që dalë ngadalë ka nisur të harrohet.

Duke huazuar një thënie të Shën Agustinit, që kur e pyesnin për kohën ai u thoshte se "kur më pyesin nuk e di, ndërsa kur më pyesin e di", Nano tha se me këtë libër ai u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që shpesh e pyesin se ç'është provinca. Dhe, për hir të së vërtetës, libri i Nanos është një gërshetim i së vërtetës së jetuar dhe krijimtarisë.

"Aty ku flas për veten jam tërësisht unë dhe çdo gjë është e vërtetë, ndërsa pjesë të tjerë, për personazhe të njohur ose jo, janë edhe fryt trillimi", tha ai.

Ndërsa, publicisti dhe botuesi Piro Misha është shprehur se kemi të bëjmë me një libër tepër personal. "Ajo që të bie në sy është që Mustafa Nano është i sinqertë me veten dhe me lexuesin. Ai e sjell të kaluarën e tij ashtu si e ka jetuar. Ai nuk ka nevojë të ndërtojë një të kaluar alternative" u shpreh Misha.

Edhe vetë autori ka folur për librin, duke rrëfyer edhe për provincën ku ai është rritur e ku ka jetuar një eksperiencë, një sens sipas tij, që duhet ta njohin shumë njerëz të medies. Kuptohet se autori është ndalur më shumë tek Çorovoda, vendi që e njeh më mirë: "Ky qytet është një entitet urban që mban gjithë ditën e ditës vulën e makthit bolshevik", shkruan Nano.

Merita e autorit është se ka shkruar shumë thjeshtë dhe në një farë mënyrë është edhe një nderim për vendin e tij. Janë të gjitha emocionet bazike të asaj kohe, që për brezin e ri sot janë pak të harruara, por edhe përpjekja dhe mbijetesa me të gjitha notat.

Ky libër retrospektiv, i bërë nga një personazh publik, që e ka njohur mirë qytetin e tij mund të quhet dhe një kontribut për Skraparin, por edhe për çdo provincë tjetër që sot jepet nga ana e njërit prej publicistëve më të mirë shqiptarë.

KOMENTE