Shkup, 24 Janar NOA - Qeveria e FYROM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) ka vendosur që të lehtësojë kushtet për importin e veturave më të vjetra nga vendet e huaja. Ky vendim është paralajmëruar edhe nga Ministria e Ekonomisë, duke pohuar se ai do të hyjë në fuqi shumë shpejt. Me ndryshimet e reja, qytetarët e Maqedonisë do të mund të sjellin vetura më të vjetra nga vendet e huaja, edhe ato më të vjetra rreth 10 vite. Kjo do të mundësohet pasi që do të ndryshohen aktet nënligjore për të ashtuquajturën homologim, që do të thotë se për të sjellë veturë nga jashtë nuk do të nevojitet që ajo të jetë vetëm e standardit Eur 3 (apo Eko 3), por do të ulet niveli në Eur 1 dhe Eur 2.
Vetëm për një afat prej gjashtë muajve, do të mundësohet që qytetarët të sjellin veturat që i preferojnë nga vendet e huaja, kryesisht ato evropiane, ndërsa pastaj do të hyjë në fuqi standardi Eur 2. Me këto ndryshime të paralajmëruar, por edhe me ndryshimet e reja të uljes së akcizave për 50 për qind, çmimi i një veture që do të sillet nga jashtë do të jetë jashtëzakonisht shumë i lirë. Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se këtë risi do ta bëjë publike së shpejti dhe se ajo do të mundësojë që shumë qytetarë të mund të blejnë vetura me vite më vjetra në vendet e huaja, dhe ato ti regjistrojnë në Maqedoni. (NOA-INA)