Nga Alexander Goeb/ "Neue Rheinische Zeitung"
Vdekja e patriotit Jusuf Gërvalla
Kryetitujt e gazetës "Heilbronner Stimme" njoftonin me 18 janar 1982: „ Tre të vdekur në atentatin në Heilbronn - tre jugosllavë në ekzil ekzekutohen në automobil - Viktimat punonin për një Kosovë të pavarur-Njeriu që po vdiste akuzoi shërbimin e fshehtë".
Dy nga burrat vdiqën menjëherë. I treti, Jusuf Gërvalla, këngëtar, poet, gazetar, kishte jetuar edhe disa orë. Ai ishte 36 vjeçar.
Atëbotë të vrarët quheshin "jusgosllavë në ekzil". Sot ata quhen shqiptarë të Kosovës. Atëherë prokuroria e shtetit kishte vënë një shpërblim prej 10.000 markash. Një komision special zhvillonte hetime- pa rezultat.
Politika u zhyt në heshtje. Presidenti i atëhershëm i BND-së Klaus Kinkel heshti, sepse marrëdhëniet e Republikës Federale të Gjermanisë dhe Jugosllavisë ç'është e vërteta socialiste, por të painkuadruar, ishin shumë të mira. Për këtë shkak komisioni i special dhe prokuroria shtetërore mbetën në hetimet e tyre të vetmuara dhe vetëm- pa vrasës, pa akuzë, pa prova.
Prokurori shtetëror i atëhershëm Ehmann thoshte: "Unë jam i mendimit që gjithçka flet për atë që ishte shërbimi i fshehtë jugosllav. Për ata vëllezërit Gërvalla ishin diçka si armik nr. 1 i shtetit".
Donika Gërvalla, sot 39 vjeç, është vajza e Jusufit, studioi flautën në Tiranë dhe drejtësinë në Hamburg, bën përkthime, ishte gjatë luftës zëdhënëse e LDK-së së presidentit në ndërkohë të vdekur të Kosovës Ibrahim Rugova.
Ajo është nënë e dy fëmijëve dhe e martuar me politikanin e CDU-së Stephan Schwarz, i cili u bë qytetar nderi i Sarajevës për ndihmën që i dha ai gjatë rrethimit nga serbët këtij qyteti:
"Nëna ime dëgjonte radion. Ajo vrapoi te dera kur dëgjoi krismat. Babai im ishte ende gjallë. Nëna ime e ka pyetur, a ke parë, kush ishte? Ai mundi vetëm të thoshte shkurt se ishte shërbimi i fshehtë jugosllav, UDB-ja".
Në Kosovë çdo shqiptar e njeh Jusuf Gërvallën. Pse ndiqej ky njeri i butë dhe të përzemërt me një urrejtje kaq të papajtueshme? Pse e ndiqte policia atë dhe familjen e tij? Pse u zhdukën poezitë dhe këngët e tij, të cilat i këndonin bukurisë së atdheut dhe dashurisë?
Përse u vunë në marshim xhelatët për ta thyer Jusuf Gërvallën? Ai kishte frikë nga torturat.
"Unë nuk e di se a do të mund të qëndrojë i fortë", i kishte thënë shokut të rinisë, kolegut gazetar dhe ndihmëtarit gjatë ikjes, Skënder Blakaj, i cili, kur Jusufi tashmë qëmoti kishte vdekur, e kishte shkruar tekstin e një kënge:
"Ata që më presim,
do të dinë diçka
diçka që unë kurrë nuk munda ta mësojë,
si bashkohet një popull".
Lufta kundër shtypjes së identitetit të tyre dhe pushtimit të vendbanimeve të tyre nga fuqitë ushtarake të huaja i përçau shqiptarët gjithmonë në krah të ndryshëm politikë, të cilët veç kësaj e luftonin njëri-tjetrin. Por ja që tani ishte dikush aty, i cili dinte t'i tejkalonte hendeqet mes kampeve të armiqësuara politike.
Donika Gërvalla mendon: "Unë besoj që interesimi i shërbimit të fshehtë jugosllav për babanë tim mund të arsyetohet me faktin që roli që lozte babai im në mesin e shqiptarëve në Gjermani duhet të ketë qenë mjaft i rëndësishëm. Kur babai im erdhi këtej, kishte disa grupe shqiptare, duke filluar nga marksistë-leninistët e deri tek ithtarët e mbretit. Babai im kurrë nuk e kishte pasur për qëllim për t'i bashkuar të gjithë në një organizatë, por ai kishte punuar që mes tyre sidoqoftë të kishte një bashkëpunim."
Dhjetë vite me radhë vlejti principi i Gandh-it në Kosovë. Pëllumbat mes skipetaren (në origjinal për: shqiptarëve), në mesin e tyre presidenti Ibrahim Rugova, një shkrimtar, i gëlltitën të gjitha poshtërimet e pushtetit shtetëror serb, i lanë armët të heshtin, u angazhuan për bisedime. Serbia nën Millosheviçin përkundrazi vendosi një regjim terrori. Vrasjet e pandriçuara të shqiptarëve shpeshtoheshin, burgosjet ishin në rend dite, torturat i përkisnin përditshmërisë. Terror serb, do me thënë: burg, dëbim nga puna, mungesë strehimi, uri, dhunime. Dhe, shqiptarët ende nuk i rroknin armët. Më 1990 u dekretua një ligj me titullin „ marrëdhëniet e punës në rrethana të jashtëzakonshme". Më pas 80 për qind e të gjithë të punësuarve shqiptarë u dëbuan nga puna. Vetëm nga sistemi arsimor u hodhën në rrugë 26.000 mësuese e mësues. Dhe, shqiptarët edhe më tej nuk i kapën armët.
Në ilegalitet Jusuf Gërvalla zhvillonte bisedime politike me shokët dhe të njohurit. Ata e njihnin atë si këngëtar dhe poet.
Jusuf Gërvalla vinte nga fshati i vogël Dubovik, në perëndim të Kosovës, në afërsi të bjeshkëve të Rugovës, të kufirit me Shqipërinë, jo larg nga qyteti i Pejës, të cilin serbët e quajnë Pec. Shoku i tij i vetëm i rinisë, i kohës së shkollës, ishte ai Skender Blakaj, i cili më vonë, si ai, do të bëhej redaktor i kulturës.
Jusufi u rrit te një xhaxhai i tij. Studimet iu desh vetë t'i financojë. Jusufi i dashuruar në Suzanën, një shqiptare e re nga Shkupi dhe e nderonte Ajshen, nënën e tij, e cila punonte në Slloveninë e largët dhe angazhohej për çështjen shqiptare.
Ismail Kadareja ishte poeti, të cilin Jusuf Gërvalla e donte me gjithë zemër, në ndërkohë shkrimtari shqiptar bashkëkohor më i renomuari dhe më i njohuri. Çka di Kadareja i madh, i cili që prej shumë vitesh jeton dhe punon në Paris, për Jusuf Gërvallën?
"Më të rëndësishmen: Ai ishte vërtet miku im, ishte shkrimtar, poet, muzikant, kurse ajo që më lidhte me të ishte ngrohtësia e tij njerëzore, ishin marrëdhënie miqësore, një njeri i mrekullueshëm".
Derisa Jusuf Gërvalla e kreu shërbimin ushtarak, gruaja e tij Suzana konkurroi për burrin e saj në gazetën „Rilindja" në Prishtinë. Jusufi e mori këtë vend pune. Ai u bë redaktor kulture, i botoi dy vëllime me poezi, iu botua një roman, një tjetër ishte i gatshëm për shtyp kur atij iu desh të ikte në Gjermani.
Donika Gervalla kujton: "Në dhjetor 1979 erdha nga shkolla dhe pashë që në banesën tonë kishte njerëz të huaj. Unë isha atëherë vetëm tetë vjeçe. Nëna ime më shpjegoi që ata ishin të policisë. Ata e bastisën shtëpinë, por nuk gjetën gjë. Nuk kishte asgjë që do ta ngarkonte babanë tim".
Familja mori vesh se babai kishte qenë i kërcënuar me vdekje. Kishte vetëm një konsekuencë: ikja. Jusuf Gërvalla u përshëndet me familjen e tij dhe iku nga atdheu i tij. Prapa timonit të automobilit të ikjes ishte i ulur miku i tij Skënder Blakaj, i kruspullosur në karrigen e pasme: Jusuf Gërvalla.
Pas vrasjes kërcënimet ndaj Gërvallajve nuk pushuan. Familja nuk kishte ç'të bënte tjetër veçse të shkonte në Shqipëri. Donika Gërvalla e përshkruan zhvendosjen: "Nuk ishte më jetë, të rrije këtu dhe të ndiheshe vazhdimisht e kërcënuar".
Por Shqipëria nuk ishte toka e premtuar, të cilën e kishte përfytyruar nëna. Gërvallajt ç'është e vërteta respektoheshin, por kërcënimet dhe sharjet nuk u zvogëluan. Kaosi i kthesës i dha shtysën Suzanës për ta lënë vendin. Ajo gjeti strehim në Suedi, anëtarët e tjerë të familjes gjithashtu. Donika Gërvalla u kthye në Gjermani, gjuhën e së cilës ajo e fliste aq bukur.
Rafet Rudi e ka shndërruar një dhomë të vogël të banesës së tij në një ndërtesë të lartë të lënë pas dore në Prishtinë, në të cilën ashensori përsëri nuk punonte, në një studio muzikore. Ai është profesor muzike, kurse te Jusuf Gërvalla atij i interesonte sidomos të kuptuarit e tij të muzikës.
Bisedat e profesionistit me Jusuf Gërvallën, amatorin.
"Unë atëbotë kisha të bëja më tepër me muzikën klasike dhe vija re që edhe ai kishte interesim për të. Me kohë ndjeva që ai posedonte potencialin për të punuar në këtë drejtim. Unë nuk e kam takuar një njeri tjetër, i cili të mos ishte muzikant profesionist, por që të kishte megjithatë një të kuptuar dhe ndjenjë të tillë për muzikën".
Ata dëgjonin së bashku Bach-un, diskutonin mbi letërsinë, mbi Joyce-in dhe Kafka-në, dhe vazhdimisht biseda kthehej tek muzika. „ Ai ka bërë një muzikë të tillë, të cilën ne sot më nuk e kemi. Ajo ishte e re, e kishte formën e baladës muzikale. Ai e lidhte muzikën me poezinë, ngjashëm me shansonin francez, ngjashëm, por jo njejtë. Mund të thuhet që ai ishte shumë i lirë, edhe në këngët e tij."
Jusuf Gërvalla ishte një njeri i kthjellët. Për këtë dëshmojnë këngët e tij të dashurisë, baladat për nënën dhe fshatin e tij të lindjes. Por ai përherë fliste për hijet e errëta dhe kafshët e zeza. Disa nga poezitë e tij janë parandjenjë e vdekjes, e njëkohësisht testamente.
Për shumë shqiptarë këto poezi vlenin si një premtim: Gërvalla do të kthehej. Premtimi është mbajtur. Më 2002 Jusuf Gërvalla është varrosur në katundin e tij Dubovik. Disa mijëra njerëz ishin te varri i tij. Familja ndaloi çfarëdo përvetësimi politik të babait të saj.
(Përktheu: Xh.Ukshini/bota-sot)