Strategjia e ZCN-së dhe Qeverisë së Kosovës duket si një kundërvënie për ta zbutur ca diskreditimin që po e përjetojnë. Në shënjestër të kësaj strategjie nuk është veriu i Kosovës por qytetarët shqiptarë të Kosovës
Nga Albin Kurti
Institucioneve të Kosovës u mungojnë aq shumë gjëra. Por jo edhe strategjitë. Secila ministri e secili departament është rrush prej strategjive. Gjëra të paimagjinueshme vijnë në jetë përmes strategjive për to. Shteti i Kosovës për gjithçka dhe kurdoherë ka strategji. Tjetërçka mungon në politikën zyrtare kosovare. Mungon vullneti politik, mungon gatishmëria për të vepruar, për të rrezikuar e për të marrë përgjegjësi. Nuk mungojnë strategjitë. Strategjia më e re për veriun e Kosovës nuk ka plotësuar kurrfarë mungese paraprake. Asnjë qytetar i Kosovës nuk përjetoi kurrfarë përndritje nga publikimi i kësaj strategjie. Jo vetëm që s'pamë asgjë të re në këtë strategji, por nuk pamë asgjë ndryshe nga e deritanishmja. I vetmi shpjegim do të ishte që duan t'i befasojnë serbët në veri me strategjinë e njëjtë, meqë ata s'do të mund të besojnë se përsëri është strategjia e njëjtë. Disi sikurse te një episod humoristik për Luftën e Dytë Botërore në serialin britanik Black Adder. Mirëpo, a është përnjëmend strategji kjo strategji? Strategjia, sipas përkufizimit, është term ushtarak. Strategjia është strategji e ushtrisë, madje jo e ushtrisë që qëndron në kazerma, por pikërisht e asaj që shkon në luftë. Fjalë më të papërshtatshme nuk kanë mundur të gjejnë. Qeveria e Kosovës e nis prezantimin e kësaj strategjie rregullisht duke rrëfyer qysh në fillim se e përjashton përdorimin e forcës dhe dhunës. Avazi i njëjtë, përkundër mossuksesit të deritanishëm në eliminimin e strukturave paralele të Serbisë, nuk është vetëm leje por edhe inkurajim për ato struktura. T'i thuash të dhunshmit se nuk do të përdorësh dhunë ndaj tij, është kontribut në dhunën e tij. Ndërkaq, secila ndërmarrje e re në veri që nuk realizohet me sukses është ndërtim i pamundësisë së Kosovës që quhet veri. Shteti i këtillë i Kosovës e ka armik vetveten - ai po vetëzhvlerësohet. Me këtë strategji krerët vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë përpiqen të vijnë vetë në ekzistencë karshi problemit në veri. Ata, thjesht, nuk janë atje. Nëse Serbia e aspiron funksionimin më të mirë të saj në veri, këta kanë problem ta dëshmojnë ekzistencën e tyre. Strategjia për veriun është investim për dukje në veri, dhe atë, më parë të BE-së sesa të Qeverisë së Kosovës. Strategjia thekson shtimin e prezencës së BE-së, ndërtimin e Shtëpisë së BE-së në veri, etj. Kjo tregon që halli nuk është se nuk po respektohet Kushtetuta e Kosovës, por Rezoluta 1244 dhe eventualisht Plani i Ahtisaarit. Jo nenet 1.1 dhe 2.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që e përkufizojnë Kosovën si vend të pavarur, sovran, unik e të pandashëm. Mbase kjo është ndër arsyet kryesore pse nuk do të ketë përdorim të forcës. Rekomandimi 1 i këtij dokumenti strategjik tregon që Zyrën e Ekipit Përgatitor për komunën e re të veriut të Mitrovicës duan ta vendosin në Lagjen e Lumbardhit (Mëhallën e Boshnjakëve) të banuar me shqiptarë, për shkaqe të sigurisë. Pra, duan t'i rrezikojnë edhe më shumë shqiptarët atje, duan t'i përdorin shqiptarët në veri si mburojë për burokracinë e tyre, si mbrojtje për zyren e tyre e cila duhet ta përgatisë ndarjen formale dhe legale të qytetit të Mitrovicës në dy komuna. Për diçka që nuk iu konvenon shqiptarëve, duan t'i përdorin shqiptarët, si mbrojtje ndaj sulmeve të serbëve të cilët mendohet se do ta sulmojnë edhe atë që është e favorshme për ta, për hir që të kenë edhe më shumë se aq. Pasi që kanë thënë që nuk do ta përdorin forcën, ata, në fakt, kanë thënë që nuk do ta mundësojnë as vetëmbrojtjen. Tash që s'do të arrijnë të organizojnë zgjedhje në veriun e Mitrovicës në maj të këtij viti, meqë Serbia nuk e pranon komunën e veriut të Mitrovicës, mu tani doli kjo strategjia për krejt veriun. Zgjerimi i kontekstit të problemit nuk është zgjidhje e tij. Përkundrazi. Ky zgjerim e problematizon tërë kontekstin e zgjeruar. Mosbërja e komunës së veriut të Mitrovicës (që edhe ashtu s'ishte zgjidhje por lëshim pe ndaj Serbisë) tash po ia lëshon vendin bërjes së krejt veriut kanton të veçantë. Strategjia nuk nënkupton vetëm qëllime a objektiva por edhe mënyrat e ecuritë për arritjen tek ato. Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës publikuan një listë dëshirash, e jo një strategji. Pa mënyrën për realizimin e qëllimit, në rastin më të mirë, qëllimi degradon në dëshirë. Është Serbia ajo që ka strategji të qartë për veriun e Kosovës të cilin e ka serbizuar më shumë sesa vetveten. Serbia përherë e më shumë po e shkel edhe Rezolutën 1244 dhe kjo është bërë e padurueshme për faktorët ndërkombëtarë. Strategjia e ZCN-së dhe Qeverisë së Kosovës duket si një kundërvënie për ta zbutur ca diskreditimin që po e përjetojnë. Në shënjestër të kësaj strategjie nuk është veriu i Kosovës por qytetarët shqiptarë të Kosovës. Kjo strategji është strategji për neve shqiptarët e Kosovës, jo për veriun. Pushtetarët po flasin në mëyrë që qytetarët të mos veprojnë, që qytetarët në vend të veprimit ta zgjedhin pritjen me shikimin drejtuar kah politikanët. Kjo strategji nuk është strategji. Në fakt, vetë ajo është strategjike. Kjo strategji (e re) është taktikë (e vjetër). Nuk kanë strategji për ta fituar luftën për veriun, por vetëm taktikë për ta fituar betejën me qytetarët. Kjo taktikë gjithsesi përfundon e rikuperueshme përbrenda strategjisë së njëjtë të Serbisë për dominimin e saj total në veri. Asgjë e re nga ‘fronti' i veriut. Nëse kjo strategji megjithatë është strategji, atëherë ajo është e tillë për atë që nuk e përmend fare: Trepçën. Me gjasë, sikurse në Republikën Serbe në Bosnje, ku minierat dhe shkritoret u ndanë varësisht se në cilën anë të kufirit kishin mbetur, edhe Trepçën sikurse Kosovën duan ta ndajnë në dy kompani (mbi Ibër e përfundi Ibrit), për ta privatizuar këtë në jug të Ibrit, meqë atë në veri nuk i lejon Serbia. Kosova është një ndër vendet e rralla në botë ku në njërën anë politikën mund ta kufizosh në integrimet që s'vërehen sepse nuk ngjajnë, kurse në anën tjetër, mund ta shpronësosh shoqërinë përmes privatizimit neoliberal, që po ashtu nuk vërehet, por ama pse ngjan vazhdimisht. Pakkush duron si ne.