Tepelenë, 24 janar NOA - Terrorizonte banorët e një fshati me armë, arrestohet çobani.
Rakip Bani 60-vjeç gjuante me breshëri automatiku nga stani i tij duke vënë në rrezik jetët e banorëve të fshatit.
Ngjarja ndodhi dje në fshatin Mezhgoran të Tepelenës kur Bani ka dalë nga stani i tij dhe ka qëlluar me armë në drejtim të fshatit karshi.
Burime nga policia thanë se dje pasdie në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë kanë ardhur disa telefonata nga banorë të fshatit Mezhgoran të cilët njoftuan se shtetasi Rakip Bani, i cili është çoban afër këtij fshati po qëllon me armë zjarri nga stani i tij në drejtim të fshatit Mezhgoran duke vënë në rrezik jetën e banorëve.
Menjëherë forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë janë nisur në drejtim të këtij fshati.
Pasi është bërë rrethimi i zonës dhe janë marrë të gjitha masat për të mos lejuar qarkullimin e banorëve të rastit në afërsi të stanit të 60-vjeçarit, i është bërë thirrje këtij të fundit nga policia që të dorëzonte armën e zjarrit, pasi ai vazhdonte të qëllonte akoma.
Policia brenda pak minutash arriti të neutralizonte ngjarjen duke vënë më pas në pranga çobanin e armatosur.
Nga kontrolli i mëtejshëm që u bë në stanin e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 70 copë fishekë model 56.
k.k/NOA