English

Analiza vjetore e Policisë: Në 2009, krimi ra me 4%, u goditën 142 grupe kriminale

Tiranë, 25 janar, NOA - Policia e Shtetit gjatë vitit të kaluar ka bërë një punë efikase në aksionet e goditjes së krimit dhe grupeve kriminale.

Një fakt të tillë e ka pohuar drejtori i këtij institucioni, Hysni Burgaj gjatë fjalës së mbajtur prej tij gjatë analizës vjetore për vitin e kaluar.

"Gjatë vitit 2009, konstatohet një ulje e veprave penale me nivelin prej gati 4% dhe e krimit me vrasje në veçanti në nivelin 11 %, duke shënuar në këtë mënyrë numrin më të ulët të vrasjeve në vend", raportoi Burgaj gjatë fjalës së tij.

Më tej, ai tregoi sesi në vitin 2009, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit janë goditur 142 grupe kriminale, ndërsa janë kryer 13.100 vepra penale dhe janë zbuluar autorët për 75 % të tyre, konkretisht për rreth 9 mijë.

"Puna jonë është përqendruar po ashtu edhe në rritjen e sigurisë, rritje e nivelit të punës për parandalimin e aksidenteve, dhe parandalimin e kalimit të kufirit", theksoi ai.

Duke shtuar më pas se puna e forcave blu është realizuar duke pasur si prioritet luftën ndaj krimit të organizuar.

"Lufta kundër krimit do të jetë objekti kryesor i punës së Policisë së Shtetit e do të mbetet platforma e saj kryesore edhe për këtë vit", tha ai lidhur me një fakt të tillë.

Më tej, kreu i Policisë së Shtetit, Burgaj tha se personeli i Policisë së Shtetit është më i afërt me vendet e Perëndimit, pasi tashmë në Shqipëri është 1 polic në 420 banorë, nga 1 në 370 banorë që është në vendet e BE-së.

"Janë hartuar dhjetëra projekt-vendime dhe aktet normative që përmirësojnë punën e policisë dhe sipas rekomandimeve të Pameca-s dhe Bashkimit Evropian, por edhe tre ligje të rëndësishme, mes të cilëve dhe ai për përgjimet", tha ai.

Duke përfunduar edhe me faktin se Policia e Shtetit e kreu si duhet misionin që kishte përgjatë procesit elektoral 2009.

"Monitorimi i zgjedhjeve nga ana e forcave të policisë mori vlerësimin maksimal nga vëzhguesit e huaj dhe ata vendas, si edhe institucionet kryesore qeverisëse, brenda dhe jashtë vendit", përfundoi Burgaj.

n.e/NOA

KOMENTE