Tiranë, 25 janar NOA Update - Kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar sot se heqja e Moratoriumit për skafet është e pashpresë për sa kohë që qeveria e tij të jetë në pushtet.
Këtë deklaratë, Berisha e ka bërë gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, ku u shqyrtua përmbushja e detyrimeve të mbetura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se procesi i heqjes së vizave përbën një tërësi detyrimesh për qeverinë dhe autoritetet shqiptare, detyrime këto që po përmbushen me vendosmërinë më të lartë.
Kryeministri theksoi hyrjen së shpejti në fuqi të Moratoriumit për skafet, heqja e të cilit është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet, si dhe për hyrjen e shpejtë në fuqi të ligjit kundër krimit të organizuar, i cili shënon një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
"Me këtë ligj, mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik" tha Berisha.
Kryeministri Berisha kërkoi nga ministria e Brendshme të shohë mundësitë, të hyjë në tratativa me kompaninë e prodhimit të pasaportave që në disa zona, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh, të mund të hapen zyra të reja.
Kreu i qeverisë njoftoi se gjatë javëve që vijnë do të ketë dy inspektime nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe se duhet që të avancohet çdo detyrim që rrjedh nga udhërrëfyesi.
k.k/NOA