Tiranë, 25 janar NOA - Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS dhe njëkohësisht deputete e opozitës, Arta Dade ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli se ka dëmtuar imazhin e vendit.
"Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës edhe njëherë na jep leksione demokracie për maxhorancën shqiptare. Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi funksionojnë.
Përkundrazi ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe Topalli mëse njëherë e ka kryer këtë detyrë më së miri dukë dëmtuar imazhin e vendit. Ajo i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Konstatimi sipas medias se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Evropës është një mësim tjetër që mazhoranca duhet ta marrë" tha Dade.
Më tej deputetja u shpreh se opozita do të vazhdojë protestat në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të vlerave evropiane që shqiptarët aspirojnë.
"Gjithashtu ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut.
Ajo çfarë ka ndodhur sot në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës" përfundoi Dade.
k.k/NOA