Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 25 janar NOA - Qeveria është dorëzuar përball efekteve që ka dhënë kriza ekonomike, gjatë vitit 2009 duke pranuar tashmë se edhe vendi ynë është prekur si thuajse e gjithë bota.
Për të dytën herë Këshilli i Ministrave i kërkon Parlamentit të ndryshojë buxhetin, pasi në arkën e shtetit mungojnë 6.2 miliardë lekë, më pak nga se kishte parashikuar ministria e Financave edhe pas rishikimit që ju bë shifrave në shtatorë të vitet të kaluar.
Mosmbledhja e taksave në nivelin e parashikuar është një dëshmi e qartë e tkurrjes së aktivitetit ekonomik në vend, vlerësojnë ekspertët.
Sipas Nezir Haldeda, zëvendësministër i Financave i cili raportoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, rezulton se nuk janë mbledhur taksat nga sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, ndërkohë që edhe të ardhurat tatimore rezultojë me një mosrealizim prej 3.2 miliardë lekë.
Por ekspertët janë të mendimit se ndryshimi i buxhetit dy herë brenda vitit ka ndodhur për herë të parë në vitin 1998 dhe u përsërit në 2009, për shkak të paaftësisë së qeverisë për të parashikuar saktë shifrat.
Ky fakt vjen si rrjedhojë e mos pranimit të krizës ekonomike. Gjergj Teneqexhiu, ekspert financash thotë se qeveria duke mos pranuar krizën nuk mundi të parashikojë saktë efektet e saj në ekonominë tonë të brishtë.
Sipas tij është e dyta herë që qeveria rrit defiçitin buxhetor, çka e detyroi atë që të bëjë ndryshimet e nevojshme në buxhet, një herë në shtatorë dhe sërish në dhjetorë.
Por ndryshimet e shifrave të vitit 2009 do të ndikojnë në buxhetin e vitit 2010.
Po të shtojmë edhe efektin e dëmshpërblimeve që qeveria do të duhet të paguajë për të përmbyturit e Shkodrës, atëherë ministria e Financave shumë shpejt do të dërgojë në Parlament edhe ndryshimet në buxhetin e këtij viti.
r.l/NOA