Tiranë, 25 janar NOA - Zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës është shprehur se kërkesa e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit parlamentar në Këshillin e Evropës është përpjekje dashakeqe ndaj vendit. "Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë.
Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës ka pasur vetëm një anëtar dhe ky, është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës.
Shtoj këtu se, nga Asambleja e KE-së, zoti Islami është Reporter për Gjeorgjinë.
Lidhur më këtë, nuk ka pasur asnjë tendencë për të ndërhyrë në punët e askujt" tha zëdhënësja e kryeparlamentares e cila shtoi se kërkesa e Partisë Socialiste është false dhe e pabazuar edhe për faktin se, nëse në Legjislaturën e kaluar Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj radhe, asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues.
Më tej Ruseti deklaroi se është shfrytëzuar e drejta e Rregullores, që kur dikush ngre çështje për verifikim mandatesh, kjo kalon automatikisht në Komisionin e Rregullores. Kuvendi ka zbatuar ligjin dhe Rregulloren dhe mandatet e deputetëve të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë e KE-së, janë krejtësisht legjitime.
k.k/NOA