English

Lypja, fëmijët e rrugës do merren në mbrojtje nga shteti

Tiranë, 25 janar NOA Update - Ministria e Brendshme premton paketë ligjore masash për të mbrojtur lypësit e rrugës.

Ka qenë ministri Lulzim Basha i cili gjatë një takimi me përfaqësuesit e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, ka deklaruar se do të merren në mbrojtje fëmijët e rrugës, të cilët shpesh bëhen viktima të trafikut njerëzor.

Gjatë takimit me disa organizata, pjesë të koalicionit "Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve", Basha ka kërkuar paraqitjen e të gjitha propozimeve të tyre mbi këtë problem. Ministri shprehu mbështetjen për t'i konkretizuar këto propozime në një paketë të plotë masash ligjore dhe sociale për marrjen në mbrojtje të fëmijëve të rrugës.

"Jeni partnerë jashtëzakonisht të rëndësishëm të qeverisë në luftën kundër trafikut dhe në këtë kuadër ju kërkoj të sillni sa më shpejt të detajuara propozimet dhe nevojat tuaja për bashkëfinancim nga qeveria shqiptare. Pas kësaj, unë ju siguroj që së bashku me kolegun Ksera, do t'i përparësojmë dhe do t'i kalojmë në Këshillin e Ministrave brenda një kohe sa më të shkurtër", tha ministri Basha.

Basha nënvizoi ndërkohë se janë përcaktuar detyrime të qarta për personelin e Policisë së Shtetit në pikat e kalimit kufitar për të pasur një komunikim të përhershëm me përfaqësuesit e qendrave antitrafik dhe bashkëpunim të ngushtë gjatë intervistimit për identifikimin e viktimave potenciale dhe referimit të tyre për asistencë të pakushtëzuar.

b.m/NOA

KOMENTE