English

Mashtrim me interesat e kredive bankare

Institucionet mikrofinanciare kanë spiunuar bankat komerciale se kamatat që aplikojnë ato në Kosovë nuk janë reale. Përveç vlerës nominale, këto banka llogarisin kosto të fshehura, siç është komisioni, shpenzimet për marrjen e kredisë dhe përqindja vjetore për mirëmbajtjen e llogarisë. Në zonat rurale, kamatat e ofruara nga bankat shkojnë mbi 20 për qind

Prishtinë, 25 Janar - Nëse një klient merr kredi në ndonjërën prej bankave në Kosovë me kamatë nominale 10 për qind, kjo nuk do të thotë se ajo është vlera reale e çmimit të kredisë. Posaçërisht kur kësaj i shtohet komisioni, shpenzimet për marrjen e kredisë, përqindja vjetore për mirëmbajtjen e llogarisë dhe kosto të tjera të fshehura, del se kamatat shkojnë në disa raste mbi 20 për qind. Këto fakte, pa ngurrim i thonë konkurrentët kryesorë të bankave - institucionet mikrofinanciare.

KEP Trust, është institucioni i parë mikrofinanciar që ka aplikuar në BQK për transformim në bankë. Drejtuesit e saj, me këtë rast, patën premtuar se kur kjo të ndodhë, do të aplikojnë kamata më të ulëta, duke lënë të kuptohet se ato ekzistuese janë tepër të larta. Arta Haxha, menaxhere për marketing dhe komunikim në KEP, duke i krahasuar kamatat e bankave me ato të IMFve, thotë se në Kosovë për kreditë që janë të vogla ose në zona rurale, kamatat e ofruara nga bankat shkojnë mbi 20 për qind. "Në këtë aspekt, IMF-të nuk janë pothuajse në të njëjtin nivel, e në rastin e KEP-i edhe më ulët se këto banka", thotë Haxha. Saktësisht për kreditë bujqësore, Haxha thotë se kamatat që aplikojnë bankat nuk dallojnë nga ato të IMFve. Me gjithë faktin se IMF-të kanë tendenca të kenë kamata më të larta se bankat për shkak të kostos me të madhe. Kjo sepse nuk kanë të drejtë të pranojnë depozita sikurse bankat. Financojnë me kredi kryesisht zonat rurale, ku të ardhurat janë me të ulëta dhe ekziston rreziku për moskthim të borxhit. Ndërkaq, nëse bëhet bankë, KEP Trust ka një porosi për bankat ekzistuese. "Licencimi në bankë do të mundësojë uljen e interesave të kredive. Do të rritet konkurrenca në sistemin bankar e kjo do t'i detyrojë bankat të ofrojnë shërbime e produkte më cilësore e më të lira në Kosovë", ka thënë Haxha. Në anën tjetër, bankat me gjithë faktin se pranojnë depozita dhe të drejtën për ofrimin e produkteve të ndryshme, mbajnë kamata të larta. Sipas bankometrit të tretë, i publikuar nga Instituti për Hulumtime të Avancuara "GAP", norma mesatare e kredive personale në bankat komerciale sillet nga 10. 8 deri në 12 për qind. Kreditë për biznes dhe kreditë agrare kanë koston më të lartë dhe sillen nga 12 deri në 15. 6 për qind. Edhe këtu prin "ProCredit" me 15. 6 për qind normë të interesit, kurse më e lira është "NLB bank" me 12 për qind interes. Megjithatë, drejtoresha e Institucionit mikrofinanciar "FINCA", Ella Beavers, thotë se është krejt diçka tjetër të vlerësosh kamatat që reklamohen në formë nominale prej bankave apo IMFve dhe tjetër të llogarisësh koston e vërtetë të kredisë. Sipas saj, nëse një bankë reklamon se jep kredi me kamatë nominale 10 për qind në vit, kjo nuk do të thotë aspak se kjo është kostoja e vërtetë e klientit. "Po t'i shtohet kësaj kostoje komisioni, përqindja vjetore për mirëmbajtjen e llogarisë dhe të tjera kosto të fshehura, atëherë kostoja reale është jo vetëm e njëjtë me koston e reklamuar prej mikrofinancave, por bile edhe me e lartë", tha Beavers. Ajo duke arsyetuar kamatat e larta të IMF-ve, thotë se kamatat dhe çmimet në një treg të lirë kushtëzohen nga oferta dhe kërkesa. Ndërkohë, që bankat kanë të ardhura jo vetëm prej kredive, por edhe prej shumë shërbimeve të tjera financiare siç janë shërbimet për transfere parash, llogari bankare, depozita dhe kartat plastike. /express/

KOMENTE