English

Mosmarrëveshje të reja midis VMRO-DPMNE dhe BDI

Shkup, 25 janar, NOA - Dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI edhe gjatë fundjavës nuk kanë qenë të rehatshme mes tyre, duke shkëmbyer mesazhe kundërthënëse. Ka qenë pikërisht kryeministri Nikolla Gruevski ai i cili drejtpërdrejt ka provokuar situatën lidhur me vendimin e qeverisë dhe ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë që nga klasa e parë fillore. Ai ka dalë në mbrojtje të ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov dhe kundër qëndrimeve të BDI-së, duke theksuar se të filloristët shqiptarë duhet të mësojnë gjuhën maqedonase. Gruevski ka theksuar se në një takim me përfaqësues ndërkombëtarë në muajin gusht, bashkësia ndërkombëtare i kishte rekomanduar qeverisë që gjuha maqedonase duhet të mësohet edhe nga fëmijët e komuniteteve tjera jomaqedonase.

"Ata kanë vërejtur se të rinjtë nuk është mirë të mësojnë gjuhë të huaj, siç është gjuha angleze nga klasa e parë, ndërsa gjuhën maqedonase ta mësojnë nga klasa e tretë. Ata e sugjeruan Qeverinë që të shqyrtojë një mundësi që gjuhën maqedonase ta mësojnë nga klasa e parë. Kjo ishte në një takim me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, në të cilën i rishikuam të arriturat nga Marrëveshja e Ohrit", ka deklaruar kryeministri Gruevski, duke shprehur keqardhje siç tha ai se një bashkësi etnike nuk po e zbaton vendimin. Zëvendëskryeministri shqiptar Abdilaqim Ademi ka përsëritur qëndrimin e tij se në Qeverinë e Maqedonisë në mbledhjen e 19 gushtit nuk ka pasur vendim, por vetëm konkluzione. Mirëpo përkundër tij, ministri Todorov të shtunën ka qenë i prerë se mësimi i gjuhës maqedonase është vendim qeveritar dhe jo vendim i tij si ministër i Arsimit.

Në këtë situatë, më e ashpër ka qenë deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti e cila duke komentuar vlerësimet e kryeministrit Gruevski për këtë çështje ka theksuar se "në mënyrë arrogante gabimisht po interpretohen instruksionet dhe sugjerimet e bashkësisë ndërkombëtare". Sipas saj sugjerimet e ndërkombëtarëve kanë qenë që të ketë mësim të ndërsjelltë dhe jo vetëm shqiptarët të mësojnë gjuhën maqedonase. E tërë kjo situatë e tensionuar ka bërë që së shpejti të zhvillohet një takim i radhës midis kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe atij të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, gjë që është konfirmuar edhe nga ana e zëvendëskryeministrit Ademi.

Në këtë takim të sërish pas atij që u zhvillua javën e kaluar, Ahmeti do të kërkojë llogari dhe korrektësi nga Gruevski lidhur me deklarimet e tij publike.

NOA-INA

KOMENTE