English

Nis këtë javë dialogu me BE për heqjen e vizave

Prishtinë, 25 janar, NOA - Gjatë kësaj jave do të nisë të zbatohet në mënyrë konkrete rekomandimi i Parlamentit Evropian që dialogu për liberalizimin e vizave të nisë edhe me Kosovën. Një delegacion ekspertësh të Komisionit Evropian do të takohen të mërkurën për tri ditë radhazi në Prishtinë, me zyrtarë qeveritarë, me të cilët do t'i diskutojnë kriteret për liberalizim vizash. Lajmi është bërë me dijeni nga ministria e Brendshme, duke pohuar se ky hap shënon edhe fillimin në kohë të dialogut për vizat.

"Edhe pse takimi nuk quhet ende dialog për liberalizim vizash, të gjitha kriteret janë aty. Ne presim që Komisioni Evropian këtë takim e ka ruajtur me qëllim dhe besoj se do të vijë me risi. Agjenda është listuar pikërisht ashtu edhe siç është udhërrëfyesi", tha zëdhënësi i saj, Rexhepi.

Deri tani, Komisioni Evropian nuk ia ka dhënë udhërrëfyesin për liberalizim vizash Kosovës, ndërsa pengesë kryesore fillimisht ka qenë statusi i pazgjidhur, e pastaj mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Pikërisht, në takimin e kësaj jave, ekspertët do të njihen me punën që ka bërë Kosova në përmbushjen e këtyre kritereve.

n.e/NOA

KOMENTE