Tiranë, 25 janar, NOA - Qëndrimi i Partisë Socialiste për marrjen me dhunë të pushtetit po gjallëron një komunizëm agresiv, në funksion të të cilit ajo po përdor tezat e ekonomisë së tregut, duke e paraqitur veten si të rinovuar. Kështu e ka cilësuar qëndrimin e Edi Ramës për marrjen e pushtetit me dhunë kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, gjatë nje konference për shtyp. Sipas tij, "sot në Shqipëri ka filluar të ngrejë krye, të gjallërohet e të bëhet agresiv komunizmi, që nuk ka vdekur akoma".
"Partia Socialiste nëpërmjet kryetarit të saj Edi Rama vërtetoi dhe po dëshmon qartë se po kërkon të marrë pushtetin me dhunë, ashtu siç bëri edhe në vitin 1997. Ajo ka marrë hua disa teza të ekonomisë së tregut duke u paraqitur si e rinovuar përpara shqiptarëve, madje ajo sot po na jep leksione për demokraci. Por ajo vazhdon të ruajë të paprekur dhe të mbajë si të shenjtë ideologjinë e saj komuniste", thuhet më tej në këtë deklaratë.
"Balli Kombëtar, gjithmonë ka bërë propagandë të qetë kundër komunzimit për të evituar luftën vëllavrasëse, por komunistët mësuan vetëm mohime dhe urrejtje, vrasje dhe pushkatime të qindra e mijëra shqiptarëve të ndershëm. Edhe sot strategjia e marrjes së pushtetit me dhunë nga Partia Socialiste, është një rrezik real, që i kërcënohet demokracisë shqiptare dhe kombit shqiptar", thuhet më tej.
Në fund, deklarata citon se Balli Kombëtar dënon qëndrimin e Edi Ramës për marrjen e pushtetit me dhunë.
"Ne i kujtojmë atij se Shqipëria nuk është më në vitet 1943-1944, kur partia e babait të tij vrau, pushkatoi, burgosi, internoi me mijëra shqiptarë", përfundoi Alimadhi.
n.e/NOA