English

Policia në garë për të kapur vrasësin e dy vëllezërve. Historia e hakmarrjeve

Lezhë, 25 janar NOA/Ardian Bushi - Policia e Lezhës ka bërë të mundur të çojë sërish në qeli një 40-vjeçar të dënuar me 22 vite burgim i cili ishte larguar rreth 6 muaj më parë nga burgu.

Lodovik Ujka (Curri), nga shati Tale i Lezhës i cili vetëm gjashtë muaj më parë kishte lënë burgun, ku do të vuante dënimin prej 22 vitesh për veprën penale të vrasjes është arrestuar sot nga policia.

Arrestimi i tij është kryer pas një postoblloku të menjëhershëm të policisë së Lezhës në qendër të qytetit, ku 40-vjeçari Ujka ndodhej si pasagjerë në një foristradë me targa të Tiranës pronë e I. H i cili ishte dhe pronar i makinës.

Forcat e policisë i kanë bërë shenjë shoferit të ndalte makinën dhe në momentin që I. H i është bindur urdhrit Ujka i cili duket se ka ndjerë rrezikun ka hapur derën e makinës dhe ka dalë menjëherë prej andej dhe duke u larguar me shpejtësi nga makina në drejtim të stacionit të taksive në qendër të qytetit të Lezhës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, e cila i është vënë në ndjekje.

Në tentativë për t'i shpëtuar rikthimit në qeli, Ujka ka vrapuar ndërsa nga xhepi i xhupit i ka rënë një pistoletë tip TT të cilën e posedonte pa leje.

Vetëm pas disa xhirove vrapim policia ka mundur të dalë "fitimtare" duke i mbërthyer prangat 40-vjeçarit, ndërsa ka ngritur akuzën e kundërshtimit të forcave të policisë dhe atë për armëmbajtje pa leje.

Lodovik Ujka është arrestuar me 26 janar të vitit 2006, pasi gjykata në mungesë të tij kishte dhënë dënimin me 22 vite burg, për veprën penale të vrasjes për motive hakmarrje. Ai është akuzuar për vrasjen e vëllezërve Biba, dy vite para arrestimit.

Sipas burimeve zyrtare të policisë Lodovik Ujka kishte marrë hakun e vrasjes së vëllait të tij Nikolin Ujka sëbashku me bashkëshorten Vitore Ujka dhe Prek Bicit.

Ndërkohë që për vrasjen e çiftit Ujka është i dënuar si autor i vrasjes me burgim të përjetshëm Pashk Biba (Lleshi), i cili vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Burrel.

Dy vite më parë Pashk Biba arriti të arratisej, por vetëm pak orë pas thyerjes së burgut u arrestuar përsëri nga policia e Burrelit.

Konfliktet ndërmjet dy familjeve Biba dhe Ujka kanë nisur që në vitin 2003 ku Pashk Biba ( Lleshi ) sipas policisë akuzohet për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur më 6 korrik 2003, rreth orës 10:30 minuta në vendin e quajtur rruga e Patokut të rrethit Kurbin.

Pashk Biba i cili është dënuar me burg të përjetshëm, në bashkëpunim me një person të paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri Nikolin Ujkën dhe Vitore Ujkën.

Duke përdorur një makinë të tipit "Benz", autorët e kanë ndjekur nga pas makinën e drejtuar nga viktima Nikolin Ujka nga Talja në Rinas e më pas në drejtim të Kurbinit dhe në ecje e sipër, njëri prej tyre ka shtënë me breshëri automatiku duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme çiftit Ujka.

Kjo vrasje sipas vendimit ka ardhur pas dyshimeve që Pashk Biba (Lleshi) kishte mbi vëllanë e viktimës Lodovik Ujkën së ishte i implikuar në vendosjen e tritolit në shtëpinë e Bardhok Ndoit më 2 gusht të vitit 2002, si pasojë e të cilit janë vrarë dy fëmijët e Bardhokit, djali 11- vjeçar dhe vajza 9- vjeçare.

a.b/e.r/NOA

KOMENTE