Përfundon faza e parë e sistemimit të mozaikut të Tiranës. Është gati duke u punuar për fazën e dytë dhe në vijim dhe për punët e tjera, që do të kërkojë
Milena SelimiTiranë, 25 Janar NOA/Speciale - Është zbuluar nga arkeologët që më 1972, por gjithmonë s'ka përbërë ndonjë pikë tërheqje për publikun shqiptar.
Së fundi, pas përfundimit të fazës së parë të restaurimit, zbulohet për median dhe vizitorët, "Mozaiku i Tiranës".
"Me trajtimin e disa metodave kimike, bashkëkohore, u bë e mundur që edhe të prezervohej shkëlqimi i teserave, të shkëputeshin ato tesera që kishin krijuar disa laguna me hapësirë dhe të rivendoseshin sipas teknikave moderne për t'i nxjerrë më në pah ato", ka shpjeguar për median drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, Arbër Kadia, që punon për projektin restaurues të Mozaikut.Kurse, duke iu referuar Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, do të ketë edhe një fazë të dytë restaurimi, "që të jetë jo vetëm më mirë i restauruar, por edhe më mirë i prezantuar në funksion të Turizmit".
Ai ka folur dhe për historinë e saj sipas të cilës: "Arkeologët mendojnë se kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (villa rustica).
Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë, ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë që në shek. V-VI, vila u zëvendësua me një bazilikë paleokristiane", pohoi ai, gjë që dëshmon sa të hershme janë vendbanimet në qytetin e Tiranës.
Duke u punuar gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut "Partizani" zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit, ndër të cilat më kryesore ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme dhe një pitos i madh i periudhës së antikitetit.Kompleksi i vilës fshatare romake, është një dëshmi e rëndësishme për identitetin historik të vendbanimeve të hershme të qytetit të Tiranës.
m.s/e.r/NOA milena.selimi@noa.al