English

Risi e strategjisë së re, vjetërsia e saj

"Nuk ka asgjë më të lehtë se sa ta gënjesh atë i cili ka dëshirë të gënjehet"

Avni Klinaku*

Pasi që njeriu ta ketë lexuar strategjinë e re për veriun e Kosovës të përfaqësuesit ndërkombëtar të zyrës civile, z. Piter Feith, nuk mund të mos ndalet e të mendojë: a thua përfaqësuesit e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë të jenë kaq injorantë?!

Apo mos ndoshta ata për vete janë të zgjuar dhe e dinë se çka janë duke kërkuar nga situata, por po na konsiderojnë ne injorantë!? Deri te këto përfundime të çon pashmangshmërisht analiza e zhvillimit të situatës së deritashme në veri të Kosovës dhe strategjia më e "re" për zgjidhjen e saj.

Në strategjinë e re për veriun nuk ka asgjë të re! Aty janë të përshkruar tezat e vjetruara e të përsëritura tash e dhjetë vjet! Tezat e vjetruara e të pasuksesshme! Qasje e njëjtë ndaj problemit! Dinamikë e njëjtë! Metoda të njëjta pune!

Katër shtyllat në të cilat është bazuar strategjia e re janë konsumuar e stërvjetruar me kohë.

1) "Komunë e re e Mitrovicës veriore",

2) "zgjedhje lokale në Leposaviq në bazë të kornizës ligjore të Kosovës",

3) "strukturat paralele do të margjinalizohen dhe Zyra e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës do të mbyllet",

4) "EULEX-i do ta forcojë praninë e vet në tërë pjesën veriore të Kosovës dhe do ta forcojë në mënyrë të dukshme sundimin e ligjit", janë këto katër shtyllat e strategjisë së re të cilat ne i kemi dëgjuar mijëra herë, deri në monotoni! Këtu nuk ka asgjë të re!

Për më tepër, edhe strategjia e vjetër për veriun, e pasqyruar besnikërisht në të renë është e ndërtuar mbi tri premisa të gabuara, të cilat nuk të japin asnjë mundësi për sukses.

Së pari, sipas strategjisë së re dhe të vjetër nuk paska çështje të pazgjidhur shqiptare, së dyti, me pavarësinë e Kosovës paska marrë fund çështja shqiptaro-serbe, pavarësisht Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e veriut të Kosovës, kurse Kosova mbetet tokë e askujt dhe, së treti, çështja e qytetit të Mitrovicës e fshatrave përreth paska mundësi të zgjidhet pa marrë parasysh faktin se nga ato troje janë shpërngulur dhjetëra mijëra shqiptarë dhe në pronat e tyre janë vendosur uzurpatorët serbë.

Kështu nuk zgjidhet asgjë! Kështu vetëm sa komplikohet problemi e nxiten edhe më tepër ambiciet shoviniste serbe e njëherësh ruhen e forcohen edhe tensionet ndëretnike.

Mirëpo, kur faktorët ndërkombëtarë na e shesin një strategji të tillë si të re ata nuk janë fare injorantë dhe e dinë shumë mirë çka janë duke kërkuar nga situata në krejt Kosovën e sidomos në veri të saj.

Ata nuk e konsiderojnë as popullin injorant. Por ata e kanë kuptuar shumë mirë se qeveria e dizajnuar nga vetë ata është e aftë që për shkak të privilegjeve që i gëzon nga pushteti të shtiret si injorante. Prandaj strategjia e vjetër shitet si strategji e re.

(*) Dërguar nga autori, kryetar i Lëvizjes për Bashkim

KOMENTE