English

Rudolf Marku dhe Visar Zhiti në një antologji ndërkombëtare

Mund të quhet fat, përfshirja e dy autorëve të brezit të mesëm shqiptar në një nga antologjitë e sotme ndërkombëtare. Gjithsesi, të dy e kanë arritur me punën dhe krijimtarinë e tyre

Nga Milena Selimi

Tiranë, 25 Janar NOA Fotot Update - Rudolf Marku dhe Visar Zhiti, dy autorë të njohur shqiptarë të poezisë dhe prozës, së fundi, janë përfshirë në një antologji ndërkombëtare.

Ajo është botuar në Britaninë e Madhe dhe i referohet 100 poezive më të njohura dhe të qarkulluara, që sipas kuratorëve të tyre kanë ndikuar artistikisht në shekullin e njëzetë për mbrojtjen e vlerave të së Drejtës së Njeriut.

Antologjia "Fire in the soul", sipas medias shqiptare, që ka konfirmuar lajmin, po shitet suksesshëm në sistemin e Librarive prestigjioze angleze "Waterstone".

Ajo është fryt i punës së stafit të kritikës letrare të Shtëpisë Botuese "New Internationalist" e Oxfordit dhe përmbledh veç autorëve shqiptarë disa nga autorët që kanë bërë epokë me krijimtarinë e tyre.

Të tillë si Ana Akhmatova, Paul Celan, Margaret Atwood, Pablo Neruda, Adrienne Rich, nobelistja polake Wislawa Szymborska, Nazim Hikmet, dy shqiptarët e shumë e shumë të tjerë. "Dashuria" e Visar Zhitit, që mbyll listën e autorëve dhe "Kali i Kaligulës" së Rudolf Markut janë përfaqësimi shqiptar në këtë antologji.

Ka kohë që dy autorët shqiptarë janë shumë të njohur në letërsinë e huaj. Nga këta më aktivi, duket se ka qenë Visar Zhiti, që duhet thënë se gjithmonë e më pak, po ndihet në vendin e tij.

Kurse, ai vetë ka qëndruar disi indiferent ndaj kësaj lloj njohje, që sipas kritikut të njohur shqiptar, që tash shumë vjet punon në Angli Dr. Gëzim Alpion se "nuk është i interesuar të trajtojë tema folklorike dhe ekzotike që perëndimorët e interesuar për Shqipërinë dhe hapësirat shqiptare, si gjithmonë, vazhdojnë ti kenë aq shumë për zemër". Kurse porsa i përket Rudolf Markut, që prej kohës jeton jashtë vendit, duhet thënë se ka qenë shumë i pranishëm në letrat shqipe për një kohë të caktuar, ndërsa tashmë është pak më larg, por asnjëherë i larguar krejtësisht prej saj.

Duhet thënë se puna dhe krijimtaria cilësore ka qenë një nga elementët që i ka përfshirë të dy autorët në këtë antologji, ku spikasin disa nga emrat legjendë të shkrimit si Ahmetova, Neruda dhe Szymborska.

Të jemi të ndërgjegjshëm, përveç Ismail Kadaresë, një emër shumë i njohur në botën e letrave, shkrimtarët e tjerë shqiptarë janë shumë skajorë në botime.

Kjo ndodh për shkak të mungesës së përkthimeve cilësore nga shqipja në gjuhë të huaj por edhe për shkak të problematikës teknike ngaqë Shqipëria është një vend i vogël dhe me një gjuhë jo shumë të njohur.

Gjithsesi, fati i njohjes së Kadaresë dhe tematikave të tij ka bërë që të ketë një shteg dhe për letrarët e tjerë shqiptarë.

m.s/e.r/NOA milena.selimi@noa.al

KOMENTE