Tiranë, 25 janar - NOA - Kabineti i Presidentit të Republikës njoftoi sot se Kryetari i Shtetit, Bamir Topi, ka nisur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vende vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende vakant në Gjykatën e Lartë.
Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo me pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet."Të gjithë individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, janë të ftuar të paraqesin pranë Kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre me dokumentacionin si kopje diplome dhe listë notash, kopje të titujve shkencorë, kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit, indeksin e shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë, vërtetim nga Institucioni ku ka punuar, se gjatë pesë viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore dhe çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit" deklaroi sot kabineti i Presidentit.
Gjithashtu bëhet e ditur se afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, është data 15 shkurt 2010. Presidenca njofton se përzgjedhjet do të jenë transparente dhe në respekt të ligjeve në fuqi dhe standardeve demokratike.
k.k/NOA