A duhet marrë seriozisht për ato gjëra që Veton Surroi ka të drejtë në shkrimin e tij, e ato ishin jo pak situata dhe epitete të shkruara, apo duhet injoruar në tërësi argumentet e shkruara nga një person që ndryshon mendimet dhe veprimet, sa herë që i del një ofertë dhe një situatë tjetër para vetes?
Nga Baton Haxhiu Nuk kam qenë nga ata që tundin në erë dyshimet e veta. E kam zakon t'i peshoj mirë faktet dhe të kem një vazhdimësi të asaj që kam deklaruar dikur. Sa herë që mendoj të kritikoj mendimet e të tjerëve, më bën të jemi i hapur. Dhe të mbaj mend se çka kam bërë dhe çka kam thënë dikur. Që të mos gjendem në kundërshtim me veten dhe me të kaluarën time. Po flas për një shkrim të Veton Surroit, të botuar në "Koha ditore", kësaj radhe i zhvendosur nga faqet e kulturës në faqen e dytë të gazetës. Me këtë shkrim, Surroi duket se provon të rikthehet dhe të shkruajë për gjërat të cilat dikur ka menduar ndryshe dhe tash mendon se ka ardhur koha t'i "korrigjojë" në shumë pika. Qoftë edhe për personat e vdekur. Pyetja është se a duhet marrë seriozisht për ato gjëra që Veton Surroi ka të drejtë në shkrimin e tij, e ato ishin jo pak situata dhe epitete të shkruara, apo duhet injoruar në tërësi argumentet e shkruara nga një person që ndryshon mendimet dhe veprimet, sa herë që i del një ofertë dhe një situatë tjetër para vetes. Thjesht, është vazhdimësia e mendimit dhe veprimit politik, dhe shkrimeve të botuara. Nuk e besoj që një shkrim i Veton Surroit i botuar në "Koha ditore" të mos jetë lexuar nga partitë në pushtet. Nga individë të këtyre partive. Megjithatë, ato e lanë shkrimin të rrjedhë i qetë, pa reaguar, pa thënë asgjë. U quajtën antievropianë, të paedukatë dhe të paarsimuar. Disa u quajtën aziatikë. Kurse të tjerët, që kanë të bëjnë me SHIK'un, vetëm emri i Hitlerit u mungonte para. Surroi i dha fund shtetit të Kosovës dhe e quajti të pabëshëm, vetëm nëse kthehen forcat proevropiane, të cilat ai jo më pak se disa muaj më herët, po të njëjtat që i përkrah sot, i renditi në të njëjtin nivel. Atëherë, unë dëshiroj të them se nganjëherë duhet të bësh shkrim për të parandaluar vazhdimin e akuzave dhe të pavërtetave. Sepse, nuk mund të heshtësh duke u fshehur dhe duke bindur veten se artikullshkruesi është person i pafuqishëm dhe pesha e fjalëve të tij nuk është tashmë e identifikueshme. Gjuha e tillë e përdorur, ndoshta (edhe kjo ndoshta është me pikëpyetje) nuk u bën përshtypje njerëzve të politikës, por ata që më parë ishin në botën intelektuale dhe të shkolluar në Evropë dhe tash i takojnë një grupi politik, së paku është dashur të kenë një reagim publik. Nuk duhet të sillen sikur nuk e kanë lexuar shkrimin, ose edhe më keq, sikur nuk u bën përshtypje ajo që shkruan Veton Surroi me pafuqinë e tij politike të momentit. Para së gjithash, ai është njeri i letrave dhe i politikës gjithashtu, prandaj të heshtësh ndaj një shkrimi të tillë - do të thotë të pranosh argumentet e tij të rënda, ndoshta më të rëndat e shkruara ndonjëherë. Nuk dëshiroj të jap përgjigje në emër të partive politike dhe të individëve të atakuar në shkrimin fejton, sepse është punë e tyre të reagojnë për epitetet e atribuara. Është punë e tyre të vendosin që ta braktisin një shkrim me plot mllef dhe me plot epitete, apo të heshtin dhe të bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por, duhet të jetë e qartë se ajo që është e patolerueshme, është e patolerueshme. Analogjitë historike ose të kohës janë delikate. Kur pat shkruar Surroi për fashizmin e vitit 1999, por edhe më vonë, i pata dhënë të drejtë, edhe pse përdorimi i fjalës "fashizëm" ka mundur të eliminohet. Ka qenë një atmosferë e rëndë, ku të vdekurit flisnin gjithandej në Kosovë. Por, ka qenë një reagim prej intelektuali dhe termat ndonjëherë mund të jenë më të ashpra sesa që e do momenti. Edhe për faktin se atëherë nuk përfaqësonte ndonjë subjekt politik dhe asnjë formacion të tipit të ngjashëm. Në një kohë prej dhjetë vjetësh, të përsërisësh dy terma shumë të rënda, do të thotë të mos jesh vetëm intelektual dhe dashamirës, por të provosh të vendosësh kritere të pandreqshme për Kosovën dhe për politikën e saj, dhe të vendosësh armiqësi me të gjithë, duke provuar të kallësh gjithçka që është arritur. Në këtë pikë, nuk kemi të bëjmë më me qëndrim ku kritikohet Qeveria dhe institucionet, por në shkrim vendoset kriteri i Qeverisë armike, ku ajo nuk kritikohet për veprimet e saj, por me fjalitë e shkruara ajo vendoset armiqësisht në anën tjetër. Qëndrimi Anti-Qeveri nuk është qëndrim i ngjashëm me kritikën ndaj saj. Ky etiketim nisi në zemër të politikës dhe e ka goditur politikën dhe Kosovën mu në zemër. Që kjo Qeveri është antievropaine dhe aziatike. E paarsimuar dhe e pandreqshme. Hiq disa argumente të dhëna saktë për rrjedhën dhe vonesën e shkuarjes kah Evropa, Surroi vendosi epitete abstrakte, i ndante në klasa realitetet komplekse, i bënte copë-copë realitetet dhe ishte i paaftë t'i vendoste këto realitete komplekse në kontekstin e duhur. I paaftë të kuptojë pasionet njerëzore dhe problemet e vërteta. Mbi të gjitha, ishte i paaftë të kuptonte mangësitë e tij në logjikën e vet dhe i paaftë ta parafytyronte se çfarë i kishte ndodhur atij gjatë këtyre viteve. Ishte i paaftë të kujtonte se vetë ka qenë pjesë e kësaj loje. Dhe e dështimeve. Ajo që më parë, në përgjithësi, nuk ishte problem për Surroin, tani ka filluar të quhet problem i përditshëm, ose e thënë ndryshe, kjo quhet problem i të gjeturit vend për veten. Kjo është e gjitha. Sidoqoftë, si interpretime jo të arsyetuara mirë, po del që Surroi ka dalë në faqen dy të gazetës në momentin kur për një motiv apo për një tjetër, i vë në dyshim të gjitha të bërat e të tjerëve. Prapë mendoj se ka plot elemente raciste. Shtrohet pyetja: Çfarë dyshimi ka sjellë ai me shkrimin e tij? Dhe, cili është raporti që ai ka krijuar në mes dyshimit të shtruar dhe besimit të atij që e lexon? Edhe pse dihet se dyshimi është një mënyrë e të besuarit të gjërave. Nuk po e marr Surroin si të besueshëm me këtë rast, sepse ka plot gjëra që e bëjnë të pabesueshëm shkrimin, por jo edhe të pavlerë. Pa nisur të analizohet më thellë. Edhe kur ke argumente të mjaftueshme, njeriu që i thotë ato zhvlerëson peshën e argumenteve edhe për faktin se vetë ka qenë njeriu që ka legjitimuar situata dhe ka përqeshur disa prej tyre që tash i lavdëron. Unë jam kundër asaj që ta zhvendos figurën e Surroit në mesin e turmës politike, të atyre që bëjnë vepra politike me turmën, edhe pse ai vendosi ta bëjë këtë me marshin e tij. Por, megjithatë, ai vendos kritere të tilla të papërmbajtura në shkrimin e tij. Nesër: Tri raste që e përshkruajnë karakterin e Veton Surroit, që rezulton se ai nuk i gëzohet suksesit të të tjerëve dhe përdor të gjitha mjetet dhe shkronjat për të eliminuar suksesin e tjetrit. Cilat janë ato? /express/