English

Fatkeqësitë qeveritare të komanduara me sms

Ndërkohë që banorët e Shkodrës dhe zonës përreth po ndeshen me problemet e përditshme shkaktuar nga përmbytja e fillimit të muajit, faktet që po dalin në publik dëshmojnë se e gjithë situata është menaxhuar privatisht nga kryeministri Berisha dhe Ministri Prifti jo me urdhra ligjorë, por me sms apo e-mail-e. Faktor Plus do të publikojë sot dokumente tronditëse për papërgjegjshmërinë e shtetit shqiptar, i cili deri më 8 janar, ka komanduar gjithë situatën në rrugë informale

Mero Baze*

Kemi në dorë një dokument tronditës. Drejtori i KESH, u ka kërkuar zyrtarisht zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar të ndalin komandimin me urdhra onformalë të situatës në veri të vendit për shkak të situatës kritike ku po e çonin situatën.

Dokumenti është zyrtar, i protokolluar dhe do ta shihni pas pak në ekran. Është firmosur më 7 janar 2010, kur uji kishte vërshuar në qytetin e Shkdorës dhe kur kryeministri kishte paralajmëruar katastrofën.

Deri më sot kemi pasur luftë deklaratash dhe akuza që bazoheshin te pasojat. Tanimë kemi një dokument që na provon shkakun e kësaj katastrofe. Ky shkak qëndron te fakti se situata, jo vetëm që nuk është menaxhuar nga ekspertët dhe zyrtarët përgjegjës të kompanisë, por ata kanë qenë nën presionin informal të urdhrave që jepeshin me sms apo e-mail-e, prej Sali Berishës dhe Dritan Priftit.

Ky dokument i jep fund debatit për fajtorët. Mënyra si është hartuar shkresa e firmosur nga drejtori i KESH muharrem Stojku, duket se ka pasur si qëllim dhe përshkrimin e situatës së papërgjegjshme të drejtimit të situatës deri më 7 janar. Dhe duket se ja ka arritur.

Pas kësaj duket i parëndësishëm dhe fakti që Ministri Prifti ka shkuar për festat e vitit të ri në një hotel luksoz, dhe ka lënë situatën jashtë kontrollit. Edhe nëse do të ishte këtu, ai sërish do të drejtonte në këtë mënyrë situatën, pasi shefi real që ka dhënë gjithë urdhrat ka qenë kryeministri Sali Berisha.

Problemi është pak më i gjerë. Mënyra se si Sali Berisha ka drejtuar personalisht menaxhimin e kaskadës së Drinit duke shkaktuar atë fatkeqësi që shkaktoi, është mënyra se si Sali Berisha drejton shtetin shqiptar në rrugë informale. Fatkeqësia që gjeti Shkodrën dhe zonat përreth nga kjo mënyrë e drejtimit të shtetit nuk është e vetmja.

Me pasojat e një drejtimi të tillë të shtetit po ndeshet e gjithë shoqëria shqiptare. Kjo për arsye se kryeministri Berisha nuk i konsideron ministrat e tij ministra dhe zyrtarët e emëruar përgjegjës për atë punë.

Ai ka emëruar Drejtor KESH-i një njeri të bindur, pikërisht pse kërkon ta drejtojë vetë KESH-in. Ai ka vendosur Ministër Energjetike një zyrtar të kapur prej tij, pse do të jetë vetë menaxhuesi i saj. Ai po kështu sillet me gjithë ministritë e tjera.

Tjetërkush është Drejtor Policie për gjithë Shqipërinë dhe dikush tjetër është që e komandon atë realisht. Tjetër kush është drejtor tatimesh për gjithë Shqipërinë dhe tjetër kush e drejton atë dikaster.

Tjetërkush është Drejtor i Policisë së Ndërtimit dhe tjetërkush e drejton. Linjat e tij vertikale në pushtet, me njerëz besnikë të familjes së tij që e besojnë verbërisht, janë në të vërtetë infrastruktura reale e pushtetit të tij.

Ndaj në raste të tilla si pasojat e përmbytjes, kryeministri del dhe i vë gjoksin situatës, për të trembur drejtësinë dhe për të sprapsur hetimet që do nxjerrin përgjegjës vet atë. E njëjta situatë ndodhi në Ministrinë e Mbrojtjes në Gërdec, me Drejtorinë e rrugëve për rrugën e Kalimashit, dhe me gjithë historitë e tjera të skandaleve që burojnë nga drejtimi i kontrolluar i shtetit prej një grushti njerëzish informalë, që janë njerëzit e Sali Berishës në pushtet.

Kjo është arsyeja dhe pse drejtësia nuk hyn aty ku komandon Sali Berisha. Duhet shumë guxim të hysh në botën e nëntokës që komandon realisht shtetin tonë informal.

(*) Dërguar nga autori, drejtues i Faktori Plus, pikëpamjet janë qëndrim personal

KOMENTE