VIDEO: {youtube}bKjSYqzfF1k{/youtube}
Uashington, 26 Janar NOA/VOA - Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini tha në Uashington se pret që nga fillimi i kësaj vere Shqipëria të jetë gati për t'ju bashkuar vendeve të tjera në regjimin e udhëtimeve pa viza.
Ministri i jashtëm i Italisë Franco Frattini, argumentoi përpara disa qindra të pranishmëve në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins në Uashington, se vende si Italia mund të ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në përpjekjet për sigurinë ndërkombëtare.
Zoti Frattini u intervistua nga Zëri i Amerikës pas një konference ku ai foli mbi rolin e vendit të tij në problemet e sigurisë ndërkombëtare.
Frattini, i cili është në mandatin e tij të dytë në krye të diplomacisë italiane, tha se vendi i tij ka trupa në Afganistan, përpiqet të lehtësojë dialogun me vendet arabe dhe ndikon në përpjekjet për të bindur Iranin të heqë dorë nga ambiciet bërthamore.
Ai tha se për zgjidhjen e problemeve të sigurisë ndërkombëtare duke përfshirë terrorizmin, kërkohet një bashkëpunim i ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
"Skenari më i keq, tha z. Frattini, do të ishte një përçarje mes anëtarëve të NATO-s. kjo është pikërisht ajo që kërkojnë armiqtë e paqes."Ministri i Jashtëm italian solli një shembull tjetër të rolit që mund të luajë Italia në zbutjen e tensioneve ndërkombëtare, dhe pikërisht marrëdhëniet me Iranin.
"Me të drejtë, Italia shihet si mikja më e mirë e shtetit izraelit mes vendeve të tjera europiane. Dhe ne vazhdojmë t'i themi miqve tanë izraelitë që të mos ndërmarrin ndonjë goditje ndaj Iranit. Do të ishte shumë më mirë që komuniteti ndërkombëtar të punojë së bashku për t'i bërë presion Iranit, që Teherani të bindet se është në interes të tij të pranojë procesin e bisedimeve."
Pas konferencës, ministri italian bëri disa komente për Shqipërinë:
Zoti Frattini, ndërsa vizat janë hequr për shumicën e vendeve të Ballkanit, përse Shqipëria mbeti prapa në këtë proces? Shqipëria do të bashkohet me të tjerët shumë shpejt. Ata po bëjnë hapa mjaft të rëndësishme përpara. Italia po e ndihmon Shqipërinë dhe ka qenë një nga mbështetëset e saj më të mira në këtë aspekt. Por ekzistojnë disa kritere që duheshin përmbushur. Tani mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria t'u bashkohet të tjerëve. Mendoj se në fillim të kësaj vere, në bazë të pritshmërive të mija, Shqipëria do të jetë gati të hyjë në regjimin e udhëtimeve pa viza. Shqipëria ka marrë pyetësorin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo duket se plotësimi i pjesës politike të pyetësorit mund të jetë problematik në kushtet e problemeve mes dy partive kryesore dhe të bojkotit të parlamentit nga opozita. Cili është mendimi juaj? Unë shpresoj se të gjitha partitë politike në Shqipëri do ta kuptojnë se është në interesin e përbashkët të vendit që ai të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian, pra që t'i përgjigjet sa më shpejt pyetësorit. Italia do ta inkurajojë dhe do ta mbështesë Shqipërinë në çdo rast. Por, sa problem janë këto vështirësi të tanishme politike për integrimin e vendit? Jam i sigurt se Kryeministri Berisha dhe opozita do të bien dakord se është në interesin kombëtar të Shqipërisë që ajo të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian.