English

G99: SHISH të qëndrojë larg ndikimit të qeverisë

Tiranë, 26 Janar NOA - Lëvizja G99 kërkoi sot që Shërbimi Informativ Shtetëror të qëndrojë larg ndikimit të qeverisë. Përfaqëësuesi i lëvizjes, Genci Kojdheli tha në një dalje për mediat se mazhoranca po devijon vëmendjen e opinionit publik, duke u marrë me një çështje sa periferike aq edhe problematike, siç është mandati dhe kompetencat e Shërbimit Informativ të Shtetit.

"Përmes një vendimi të kaluar dje, qeveria po tenton të kufizojë mandatin e drejtuesve të Shërbimit Informativ Kombëtar, pa dhënë shpjegim se përse është e nevojshme kjo manovër, pa u konsultuar me opozitën, dhe pa konsideruar opinionin e partnerëve ndërkombëtarë në këtë fushë", - deklaroi Kojdheli.

Sipas tij, "tentativat e kësaj qeverie për të kontrolluar SHISH kanë nisur që në mandatin e kaluar, me përpjekjen për ta kaluar SHISH nën hyqmin e Ministrisë së Brendshme".

Nuk do të shqetësoheshim aspak për këtë ripërkufizim të mandatit dhe kompetencave të SHISH, - tha Kojdheli, - sikur iniciativa të mos vinte nga mazhoranca e drejtuar prej z. Berisha.

"Të gjithë e mbajnë mend kohën kur Shërbimi Informativ ishte vetëm një vegël në duart e presidentit të asokohe, dhe shërbente si një institucion dhune, frikësimi e represioni", - komentoi Kojdheli.

Duke përfunduar, ai tha se "i kërkojmë kësaj qeverie që të kthejë sytë nga problemet e mprehta të vendit, nga zonat e përmbytura, nga varfëria e tejskajshme, kriza ekonomike, e reforma e pronës, dhe të mos prekë e tentojë të uzurpojë institucionet kushtetuese, ashtu si nuk ka hezituar të bëjë në të shkuarën".

e.r/NOA

KOMENTE