Podgoricë, 26 janar, NOA - Vendosja e marrdhënieve diplomatike mes Malit të Zi dhe Kosovës u realizua në respektim të realitetit politik, i cili tashmë është e pamundur të ndryshohet. Një deklaratë të tillë e ka bërë për mediat e rajonit, kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç. Sipas tij, me rastin e vendimit për Kosovën kanë mbisunduar vlerësimet se kjo duhet bërë pasi i tillë paraqitet edhe realiteti politik në Ballkan.
Sipas Gjukanoviç, Mali i Zi kishte planifikuar marrëdhënie diplomatike me Kosovën edhe më herët, por këtë e nuk e ka bërë për shkak të respektimit të informacioneve që mbërrinin nga Beogradi.
Ai ka thënë se për Beogradin ishte e rëndësishme që në këtë plan të mos bëhet asgjë derisa të mos paraqiten argumentet për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Por meqë kjo fazë përfundoi, ai ka vlerësuar se Mali i Zi ka konsideruar që duhet vepruar në pajtim me atë që paraqet implementim të përgjegjshëm të një vendimi të cilin e kemi marrë para një viti e disa muaj.
n.e/NOA