Tiranë, 26 janar NOA - Ka gazeta të mëdha, shumë të mëdha, të vogla dhe shumë të vogla, por kjo që shihni në foto, duket qartë se është kaq e vogël, sa s'ka si të mos futet në librin e rekordeve "Guiness".
"First News" është gazeta më e vogël që është botuar ndonjëherë dhe ajo gjendet në duart e lexuesve britanikë në Londër.
Kështu, masa dhe forma nuk kanë rëndësi për lajmin, pasi është kjo gazetë për fëmijë nga mosha 7 deri në 14 vjeç që ka thyer rekordin.
Duke u dalluar se ishte vërtet shumë e vogël, sektori përzgjedhës i librit të famshëm të rekordeve e ka regjistruar gazetën First News në listimin e rekordeve si gazeta më e vogël në botë.
Numri i parë i kësaj gazete në format kaq të vogël, erdhi në 8 nëntor të vitit që kaloi, në Londër me synimin për të qenë një gazetë e përshtatshme udhëtimi.
Në faqet e brendshme gjendet hapësirë për lojëra, lajme udhëtimi, nga shkollat e për më tepër, ka një faqe enkas për prindërit dhe një për mësuesit.
Gazeta përmban gjithashtu lajme shkencore, lajme nga bota e kafshëve dhe krijime artistike-kulturore.
e.r/NOA