Pogradec, 26 janar, NOA - Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Pogradecit, pasi është përhapur lajmi se një vajzë 29-vjeçare ka qëlluar nënën e saj me pistoletë brenda shtëpisë duke i marrë jetën.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA në mënyrë paraprake nga burimet policore, sipas të cilave autorja e krimit është Anila Angjo, ndërsa viktima është Shpresa Angjo, nëna e saj.
Krimi mësohet se ka ndodhur vetëm para pak minutash, i denoncuar nga komshijtë e familjes Angjo në qytetin e Pogradecit, të cilët kanë dëgjuar të shtënën e armës.
Paraprakisht, bëhet me dijeni se akti i rëndë ka ndodhur për shkak të një zënke mes nënës dhe vajzës së saj, ku kjo e fundit e ka qëlluar më pas me një pistoletë.
Forcat policore kanë pohuar se vajza 29-vjeçare, autore e krimit të rëndë ka dashur të largohet nga vendngjarja, por nuk ka mundur pasi është kapur prej tyre.
Ndërkaq, grupi hetimor i cili ka mbërritur në banesën e krimit është duke hetuar të gjitha rrethanat apo shkaqet, duke marrë në pyetje edhe dëshmitarët për të kuptuar se përse ai ka ndodhur në të vërtetë.
n.e/NOA