English

Kthehet Moravia, skandal në Paris

Një biografi e gjerë nga përkthyesi francez: Shërbehej nga seksi për ta kuptuar botën"

Nga Alain Elkann

Alberto Moravia është titulli i biografisë së shkrimtarit të vdekur 20 vite më parë, që do të botohet këto ditë në Paris nga botuesi Flammarion. Autor është René De Ceccatty me të cilin mund të gjeni dhe intervistën e mëposhtme: Pse ju që keni qenë përkthyes në frëngjisht i romaneve të fundit të Moravisë, keni ndjerë nevojën të shkruani këtë biografi prej 700 faqesh? "Janë dy arsye. E para është se Moravia, prej të gjithë shkrimtarëve që kam përkthyer, është i vetmi me të cilin kam pasur një relacion personal, jo intim por intensiv, edhe pse ai shkruante libra shumë larg nga të mitë. Doja ta kuptoja pse ai më interesonte aq shumë". E këtë e keni kuptuar pas 700 faqesh? "Kam kuptuar se ai kishte një raport abstrakt me botën. Donte të kuptonte botën dhe ta shpjegonte me fjalë. Ky është një qëndrim prej artisti, e ai përkujtonte përherë se artisti nuk është njeri politik, ngase është brendësisht i lirë, ndërsa politikani është përherë i kapërthyer nga rrjeta e pushtetit". Gjëja e dytë që më intereson te Moravia është se ai e ka përshkuar një shekull, duke qenë i lindur më 1907 dhe vdekur më 1990. Unë doja ta kuptoja Italinë me të cilën kam një lidhje të ngushtë. Kisha një lidhje shumë të fortë me Pasolinin, që, megjithatë, si dëshmitar ishte më pak i besueshëm, ngase kishte një mënyrë tepër të veçantë të të ndjerit". Atëherë, çfarë keni mësuar mbi Italinë nga Moravia? "Kam kuptuar se Italia ka qenë një vend vazhdimisht në luftë, çka vlen mbi të gjitha për atë që si Moravia ka pasur rininë e tij gjatë fashizmit. Nga ai kam mësuar se mund të jemi shumë të sinqertë dhe të plotë në zgjedhjen politike. Ai gjithmonë ka bërë, sipas meje, zgjedhje të drejta në lidhje me fashizmin, në lidhje me terrorizmin, në lidhje me nuklearen, Afrikën, kapitalizmin, komunizmin. Ishte një njeri lucid dhe kurrë s'është mashtruar". Si mund të përshkruhet jeta e tij e gjatë kushtuar letërsisë? "E përshkruaj si një fat dhe një dëshmi të lirisë. Një fat ngase ishte i përcaktuar nga sëmundja, familja dhe borgjezia. Sëmundja i ka lejuar të jetë shumë para kohe, ngase duke mos shkuar në shkollë mund të ishte më i shpejtë në arsimimin e tij dhe të kishte një raport më të shkëputur, mund të ishte një vrojtues i asaj borgjezie nga e cila vinte dhe të cilën e urrente aq shumë". Dhe lirinë? "E ka fituar kështu, mund të ndihej i pavarur, qëndronte në ambientin e tij, por edhe jashtë ambientit të tij, kishte një liri seksuale edhe pse ishte heteroseksual. Nga ana tjetër, kishte shumë miq homoseksualë. Shërbehej nga seksi për ta kuptuar botën, për këtë seksualiteti për të nuk ishte shkatërrues siç përkundër ishte për Pasolinin. Edhe pse raportet mes dashnorëve janë të vështira, sipas Moravisë nuk i shkatërrojnë identitetet e tyre. La romana është një roman mjaft i veçantë, ngase Moravia, përmes fatit të një prostitute, ka imagjinuar të gjitha format e mundshme të përdorimit të seksit. La romana është si një klasifikim i seksualitetit që shkon nga dashuria pasionale te abuzimi politik. Në librat e mëvonshëm, duke u nisur nga Noia, është bërë një obsesion". Por Moravia është një shkrimtar i madh? "Për mua është shkrimtari më i madh italian i shek XX. Është romancieri i vetëm i vërtetë, narratori i vetëm i vërtetë. Di ta përdorë një gjuhë mjaft të qartë dhe shumë të saktë. Kur përballet me histori të komplikuara nga pikëpamja ideologjike si Il conformista (Konformisti) dhe La ciociara (Çoçarja), përdor po atë gjuhë të përdorur në histori të tjera të thjeshta dhe lineare si Agostino, Inverno di malato dhe La disubbiendenza. Është një shkrimtar i madh edhe si gazetar: reportazhet e tij në Kinë, Indi Afrikë, Amerikë janë shumë të bukura. Për shembull, unë kam bërë një krahasim mes faqeve të tij mbi Kubën dhe ato që ka shkruar Simone de Beauvoir. Alberto nuk ka kurrë një fazë çiltërsie. Të shpjegohem më mirë: zakonisht shkrimtarët, kur zbulojnë një vend të ri, kanë diçka të pafajshme në fillim; ai kurrë. Kur ka shkuar në Japoni, menjëherë e ka ditur çka duhet të shohë dhe me kë të flasë, ngase e dinte cilat ishin gjërat e rëndësishme". Nga biografia e tij, çfarë lloji jete nxirret? "Një jetë me sukses, që i korrespondon vizionit që kishte për veten kur shkruante Gli indiferenti (Indiferentët): një jetë e shkrimit me shumë dashuri, miqësi dhe përshkrim të botës. Ajo që ende s'e kuptoj është vetmia. Moravia gjithmonë e ka ndarë jetën e tij së pari me familjen e pastaj me gra si Elsa Morante, Dacia Maraini dhe Carmen Llera, pastaj ka pasur edhe shumë aventura dhe miqësi të shkëlqyeshme si për shembull ajo me Umberto Morra di Lavriano apo ajo me Pasolinin. Pra vështirë të ketë mbetur vetëm ndonjëherë, ndërsa është ankuar shumë për vetminë e tij e mbi të gjitha mërzinë". Çfarë karakteri kishte Moravia? "Ishte optimist, njeri i veprimit, i bindur se veprimi mund t'i ndryshonte gjërat në raportet njerëzore dhe politike, por ishte edhe pesimist, ngase e njihte shpirtin njerëzor. Nga ana tjetër, është njëri që ka qenë dëshmitar i Shoah-ut dhe Hiroshimës, prandaj s'mund të mos ishte pesimist". Ishte shumë bishtnues rreth hebraizmit të tij. Si vallë? "Nuk ishte edukuar nga hebraizmi e pastaj ishte shumë i ashpër ndaj çdo forme të përkatësisë religjioze apo komunitare. Prandaj nuk ishte kundërthënëse për të që një hebre të kishte simpati për palestinezët". Kishte një raport të çuditshëm me nënën vet. "Po, Gina De Marsanich ishte një grua tepër borgjeze për të, një grua që vetëmashtrohej. Për të, nëna e tij ka qenë objekt observimi dhe shkak frustrimi. Në librat e tij ka shumë nëna, nëna për të bën gjithmonë pjesë, në njëfarë mënyre, në raportin dashuror". Duke shkruar këtë biografi shumë të gjatë, Rene De Ceccatty, mund të thoni se keni zbuluar diçka të re mbi Moravinë? "Nga pikëpamja e ngjarjeve të jetës, nuk besoj. Por unë, pasi që e kam shkruar librin, kam ndërruar raportin tim me Moravinë. E kam kuptuar se ka qenë një shkrimtar shumë i vetëdijshëm, që bën zgjedhje stili e shkrimi shumë të menduara. Kishte lexuar Dostojevskin, Joycen, Eliotin. Nuk ishte njeri i kufizuar në kulturë, e në shkrimin e tij është një pjesë shumë e fortë e avangardës. Për mendimin tim, Moravia në prozën e tij ishte shumë poet, e ndoshta kështu shpjegohet edhe pasioni i tij për Afrikën dhe për kinemanë. Ishte edhe një kritik i madh kinematografik. Kinemaja është arti që komunikon me ëndrrat, e ëndrrat janë shumë të rëndësishme në librat e tij. Që nga Indiferentët te Gruaja leopard. E kam kuptuar se Moravia, edhe pse ishte shumë racional, ishte prore edhe shumë poetik". /Il Messaggero/

KOMENTE