Tiranë, 26 Janar NOA - Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë kërkesën e Partisë Socialiste për të kaluar në rishqyrtim marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit detar, thanë sonte, burime jozyrtare nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, zyrtarisht ky lajm as u pohua dhe as u mohua. Fehmi Abdiu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese i pyetur sonte deklaroi se "nuk ka asnjë vendim në lidhje me çështjen e marrëveshjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë".
Z.Abdiu deklaroi se gjatë ditës së djeshme dhe të sotme janë zhvilluar tre mbledhje në të cilat është diskutuar në lidhje me marrëveshjen, por theksoi se debati vazhdon dhe nuk ka asnjë vendim.
Debati për këtë temë vazhdon dhe për rrjedhojë pyetja nëse ka një vendim për këtë marrëveshje, bie, - deklaroi Abdiu.
Sakaq, jozyrtarisht thuhet se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mos i hapë rrugën fuqisë ligjore të marrëveshjes së qeverive të Athinës dhe Tiranës.
Gjashtë parti politike kishin dërguar rreth tre muaj më parë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e shënimit të vijës kufitare detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëveshja mes dy vendeve u nënshkrua në prill 2009, por hyrja në fuqi kërkon dhe miratimin e Kuvendit. "Marrëveshja ka ngritur dyshime të mjaftueshme që të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse marrëveshja është në përputhje me ligjin themeltar të shtetit", ishte motivimi nga Partia Socialiste.
e.r/NOA