Ashtu si në filmin "Thelma dhe Luiza" ku dy shoqet preferuan të hidhen në greminë në vend që t'i dorëzoheshin policisë pas një aventure në rrugë, tre të miturit janë hedhur në det
Alimou, 26 Janar NOA - Dy adoleshentë shqiptarë dhe një rumun u përpoqën t'i shpëtojnë ndjekjes policore duke refuzuar të ndalojnë, por në arrati e sipër u hodhën në det dhe njëri prej tyre nuk u arrit të gjendej.
Ngjarja ka ndodhur dje në orën 02.00 të mëngjesit, në afërsi të plazhit të Alimou, informon korrespondenti i agjencisë NOA në Greqi.
Tre djemtë, një shqiptar 16 vjeç dhe një tjetër një vit më i madh si dhe një rumun, 16 vjeç, që të tre gjendeshin në pub "Ammos" ku po kontrolloheshin në distancë nga një patrullë policore e cila i vëzhgoi kur dolën dhe u futën në një tjetër diskotekë pak më tutje, "Blue".
Me të dalë nga kjo diskotekë, tre të rinj u përballën me agjentët policorë të cilët dolën nga makina dhe u afruan t'i ndalojnë.
Në këto momente tre adoleshentët kanë vrapuar por agjentët iu qepën nga pas. Në një moment, jo larg plazhit të Alimou, të miturit janë kthyer në kundërsulm sepse iu afruan një polici dhe e goditën me grushte duke i rrëmbyer dhe portofolin dhe më tej ia rinisën vrapit.
Ashtu si në filmin "Thelma dhe Luiza" ku dy shoqet preferuan të hidhen në greminë në vend që t'i dorëzoheshin policisë pas një aventure në rrugë, tre të miturit janë hedhur në det.
"Në vrap e sipër, ata ishin shumë afër detit në plazhin e Alimou dhe befas u gjendën përballë të vetmes alternativë, hedhjes në det. Ata refuzuan të ndalojnë edhe pasi kthyen kokat pas duke dalluar se agjentët po afroheshin", thanë burimet policore lokale, që i citon korrespondenti i NOA.
Të gjendur përballë faktit tronditës, agjentët kanë kërkuar ndihmën fillimisht të policisë lokale dhe më pas të rojeve bregdetare.
Pas disa minutash, një anije e shpejtë kërkimi e Marinës greke si dhe një helikopter "Super Puma" i Forcave Ajrore Ushtarake greke mbërritën në vendngjarje dhe nisën kërkimet.
Ata kanë arritur të nxjerrin në tokë të gjallë, dy djemtë shqiptarë emrat e të cilëve nuk i bëri të ditur.
Kurse 16-vjeçari rumun, nuk u arrit të gjendej dhe mendohet të ketë humbur jetën, por gjithsesi, policia theksoi se e konsideron të zhdukur dhe tha se do të vijojë kërkimet për gjetjen e tij ose të trupit.
n.s/e.r/NOA