Tiranë, 26 janar NOA - Partia Socialiste i konsideroi si dështime ato suksese të Policisë së Shtetit, të cilat u përmendën dje nga ana e Kryeministrit Sali Berisha.
Deputeti Asllan Dogjani, me anë të shifrave të përmendura, ka bërë me dije, se numri i aksidenteve, vjedhjeve, krimit, lëndëve narkotike dhe korrupsionit, ka pasur rritje krahasuar me një vit më parë.
Sipas tij, dështimet kanë ardhur për shkak se nga radhët e policisë janë larguar kuadro të specializuar, të cilët janë zëvendësuar me militant, ndërkohë që këta të fundit, janë duke e kryer vetë korrupsionin.
"Në rutinën e përvitshme të analizave të punës së policisë dëgjuam edhe këtë herë nga Kryeministri e drejtuesit e policisë prioritetet e vitit, si:
Lufta kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, rritja e sigurisë në vend, cilësisë së rendit, policimit në komunitet, parandalimin e aksidenteve, kontrollin e kufijve etj, dhe kjo për të pestin vit me radhë që objektivat nuk ndryshojnë.
Berisha dje nuk bëri gjë tjetër vetëm se ju shiti shqiptarëve dështimet e policisë si sukses të qeverisë së tij dhe nuk paraqiti ndonjë strategji konkrete se si do të arrijë standardet që kërkohen jo vetëm nga shqiptarët, por dhe faktori ndërkombëtar.
Analiza e djeshme tregoi se policia e shtetit është nën nivelet më të dobëta të punës së saj, kjo jo për fajin e trupës së policisë, por për faktin e politikave dështuese e drejtuese të ndjekura nga qeveria Berisha.
Që policia ka dështuar gjatë vitit 2009 dhe nuk është në lartësinë e zbatimit të detyrës e ilustron edhe rasti i muajve të fundit në vitin e kaluar, ku për shkak të mungesës së drejtimit, mungesës së përgjegjësisë, paaftësisë së drejtueseve, korrupsionit, implikimit të punonjësve të policisë u vranë 4 punonjës policie në Durrës apo dy të tjerë në Kukës.
Vrasja në mes të qytetit, pranë banesës së tij në kulmin e lëvizjes së qytetarëve akoma e pazbuluar e deputetit Fatmir Xhindi në Roskovec të Fierit, vrasje e cila nuk u përmend fare në raport analizën e punës së policisë tregon mungesë përgjegjësie dhe profesionalizmi nga drejtuesit e policisë" tha Dogjani.
Sipas tij, Policia e Shtetit me ndryshimet strukturore ka dështuar në kontrollin e territorit këtë e tregon numri i veprave penale të ndodhura, të pazbuluara pa përmendur se sa janë të paevidentuara nga shërbimet e policisë.
Ndryshimet strukturore dhe në personelin e policisë duke i grupuar sipas drejtimeve në një qendër të vetme ka bërë që komisariatet e policisë të mos mbajnë përgjegjësi për veprat penale të ndodhura dhe ka sjell sorollatjen e qytetarëve nga një komisariat në tjetrin, nga një departament tek tjetri për bërjen e një kallëzimi, apo denoncuar një vepër të kundraligjshme.
"Në raport analizën e punës së policisë për vitin 2009 nuk u përmendën fare sa është numri i automjeteve të vjedhura, banesave, pikave të karburantit, biznesmenëve, xhepave, çantave, varseve të qytetarëve apo vjedhjet me armë, vjedhjet me armë me pasoja vdekje, vjedhjet me armë, me dhunë që janë shtuar dukshëm nëpër rrugët e Shqipërisë dhe kane kthyer pasigurinë në vend.
Lëvizja e personave në kërkim, lëvizja lirshëm e personave të armatosur pa frikën ndaj ligjit ka bërë që të shtohen përplasjet e momentit dhe të përfundojnë me viktima. Kjo u pa vetëm dje në një ditë, në ditën e analizës së policisë ku plagoset me armë zjarri shefi i krimeve në Lushnje, vrasja në Fush-Krujë etj.
Goditjet ndaj trafikut të drogës kanë qenë të ulëta në raport me sasinë e drogave që lëvizin në vendin tonë dhe me rritjen e numrit të përdoruesve është mjaftuar me goditjen e disa përdoruesve, apo transportuesve dhe kanë mbetur pa u goditur drejtuesit e këtyre grupeve kriminale.
Mungesa e një strategjie për parandalimin e përdorimit të lëndëve narkotike në gjimnaze, një plagë e rëndë e shoqërisë tregon se sa e interesuar është kjo qeveri ndaj qytetarëve të vetë.
Në raport nuk dëgjuam se sa raste janë kapur, çfarë informacionesh ka dhe a ka një strategji për këtë fenomen në shkolla për uljen e numrit të përdoruesve etj.
Shqipëria jo vetëm po vazhdon të përdoret si vend tranzit për trafikun e drogës në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, por edhe po e konsumon atë, këtë e tregon dhe rritja e numrit të përdoruesve të drogave, kryesisht nga moshat e reja në vendin tonë.
Rastet e kapjes së drogës shpesh herë pa autor në aksin Gjirokastër-Kakavije apo të fshatrave përreth kufirit me Greqinë, nuk tregojnë për suksesin e policisë, por dështimin dhe paaftësinë e këtij shteti për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike, kontrollin e territorit, goditjen e grupeve kriminale dhe drejtueseve të tij dhe nga ana tjetër mjaftohen me penalizimin e shumë personave transportues apo përdorues, duke i cilësuar si trafikant të mëdhenj" tha më tej në analizën e tij, deputeti socialist.
k.k/NOA