English

Shkrihet Komisioni i Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit

Tiranë, 26 Janar NOA - Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, është mbledhur në mënyrë urgjente sot dhe ka marrë vendimin për të shkrirë Komisionin e saj të Apelit.

"Komiteti shkarkon Komisionin e Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit", - thuhet në një komunikatë zyrtare mbi mbledhjen e zhvilluar për të analizuar ngjarjet e ndodhura së fundi në ndeshjet e javës së 18, të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore.

Po ashtu, FSHF vendosi të dalë me një deklaratë publike për ngjarjet e javës së 18-të të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, thotë se është njohur me situatën pas raportimeve të sektorëve përkatës, të cilët mbrëmë në orët e vona janë mbledhur urgjentisht në FSHF nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, dhe kanë përgatitur një raport të hollësishëm për ngjarjet.

Komiteti Ekzekutiv vendosi:

1. Të dënojë veprimet e dënueshme të ndodhura në fushën e Vlorës gjatë ndeshjes Flamurtari - Besa dhe ato gjatë ndeshjes Tirana - Dinamo, zhvilluar në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".

2. I kërkon Komisioneve të Disiplinës dhe Apelit, të jenë sa më rigorozë dhe profesionalë dhe të japin vendime të ashpra konform rregulloreve, për shkelësit e tyre dhe për ata që prishin imazhin e lojës.

3. T'i bëjë thirrje të gjithë opinionit futbolldashës, që të bashkohet me shqetësimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, për aktet e dhunës dhe shkeljen e rregullores së lojës, ndodhur në ditët e fundit.

4. T'i bëjë thirrje të gjitha klubeve, anëtarëve të saj dhe faktorëve të tjerë, që ndikojnë në mbarëvajtjen e lojës, të mos nxisin dhunën por të mbështesin dhe inkurajojnë futbollin e ndershëm dhe Fair Play.

5. T'i kërkojë sektorëve përkatës në FSHF, delegatëve, vëzhguesve dhe gjyqtarëve, që të jenë të kujdesshëm, seriozë dhe veçanërisht të rreptë në zbatimin e "Rregulloreve të veprimtarive të aktiviteteve kombëtare".

6. Fton të gjitha organizmat shtetërore dhe në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit, që të bashkohen dhe mbështesin përpjekjet për ta ruajtur futbollin sa më të pastër, nga fenomenet që e pengojnë zhvillimin e tij.

Nga ana tjetër, Komiteti Ekzekutiv i FSHF vendosi që të mblidhet përsëri, brenda kësaj jave, për të vijuar me analizën e ngjarjeve të dhunshme dhe masat për mospërsëritjen e veprimeve të tilla të dënueshme.

e.r/NOA

KOMENTE