English

Topalli: PS i kërkoi KE-së me anë të një letre heqjen e kredencialeve të delegacionit

Tiranë, 26 janar NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka dalë sot në një konferencë për shtyp me anë të së cilës ka deklaruar se Partia Socialiste ka kryer një atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë.

"Dy dite më parë, pra, më datë 24 Janar, Partia Socialiste, nëpërmjet kësaj letre, që mban stemën dhe vulën e Partisë Socialiste, e firmosur nga Arta Dade, i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Evropës, heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare. De facto, përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm evropian.

Në mënyrë të qëllimshme, zyrtarisht, Partia Socialiste mashtron Këshillin e Evropës, kur thotë se, citoj, "Kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcinalitetin në përbërjen e delegacionit" tha Topalli.

Kryeparlamentarja shtoi më tej se "kësaj gënjeshtre nuk po i përgjigjem me fjalët e mia, por me vendimin e Komitetit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Strasburg.

Pas verifikimit, sot ky komitet vendosi se, po citoj, "Nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare. Për këtë arsye u vendos unanimisht, siç thuhet në raport, se "kredenecialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen".

Topalli deklaroi se nuk kishte dyshuar për asnjë moment se Këshilli i Evropës do të merrte këtë vendim për Shqipërinë dhe se besueshmëria e vendit nuk rrezikohej.

"Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, nuk i garantoj dot shqiptaret se të njëjtët shokë dhe shoqe në Partinë Socialiste apo jashtë saj, nuk do të bashkohen për t'i bërë Shqipërisë të njëjtin atentat për herë të katërt, të pestë apo të gjashtë. Ajo për të cilën unë garantoj shqiptarët është se besueshmëria e vendit, kredencialet e tij në çdo organizëm, ku ne marrim pjesë, do të ratifkohen gjithnje, po me votë unanime. Si sot.

Sot, në këtë moment, besoj se të gjithe shqiptarët bashkohen me mua në ndjesinë e perçmimit dhe neverisë ndaj këtij akti të denjë per kohën më të errët të ekzistencës së Partisë së Punës, të cilën, dikush, sot, pas 20 vjetësh, na e rikthen po aq të përbuzshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg. Dhe ky njeri ka një emër. Edvin Kristaq Rama.

Ata shqiptarë, që më 28 qershor votuan Partinë Socialiste, nuk votuan që shoku Edvin Kristaq Rama, të kërkonte përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Evropës dhe as të pengojë liberalizimin e vizave.

Përkundrazi! Çdo shqiptar, pavarësisht për cilën parti ka votuar, ka aspiruar dhe aspiron për ribashkimin e Shqipërisë me Evropën.

Turpi është zgjedhje e Edvin Kristaq Ramës. Dështimi, si gjithnjë, është fati i tij. Evropa është zgjedhja dhe fati ynë dhe i gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ata që votojnë Partinë Socialiste…jo Partinë e Punës" tha Topalli.

k.k/NOA

KOMENTE