Tiranë, 26 Janar NOA - Vdekja e Matilda Petritit ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së mjekut Xhevaik Hoxhallari i cili ka provokuar humbjen e jetës duke mos marrë as masat minimale.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore prokurori i ka lexuar gjykatës të gjitha provat e saj shkresore në lidhje me çështjes.
Prova më e fortë e cila akuzon drejtpërsëdrejti doktorin ishte ekspertiza mjekoligjore e fundit e kryer nga mjekësia ligjore e cila përcaktonte edhe shkaqet e vdekjes.
Në ekspertizën mjeko-ligjore bëhej me dije se përpara se të kryhej operacioni nuk ishte kryer ekzaminimi për të parë shkakun infeksional të fytit, që përsëritej tek pacientja.
Po ashtu pas operacionit nuk ishte kryer as mjekimi i venës së çarë, e cila nuk ishte këputur totalisht.
Po ashtu plaga, sipas hetimit të kryer nga organi i akuzës nuk ishte mjekuar por vetëm i ishte hequr tampon dhe ishte vendosur tampon i pastër.
Në ekspertizë bëhej me dije se nuk ishte gjetur vena e gjakut e dëmtuar dhe të dëmtuarës duhet që t'i jepej gjak.
Sipas ekspertizës të gjitha këto veprime kanë çuar në vdekjen e vajzës.
Pretendimet e ekspertizës janë kundërshtuar nga ana e mbrojtjes, të cilët kanë kërkuar para gjykatës që të vijnë dhe të dëshmojnë grupi i ekspertëve mjekoligjore që kanë kryer ekspertizën e vajzës.
Kërkesa e bërë nga ana e të pandehurit u pranua nga gjyqtari Artan Broci, i cili po gjykon çështjen e mjekut Hoxhallari i akuzuar për "mjekim nga pakujdesia me pasojë vdekjen".
Ngjarja për të cilën akuzohet mjeku ka ndodhur më 7 prill të dy viteve më parë, ku si pasojë e operimit të bajameve në Pogradec gjendja e adoleshentes është përkeqësuar. Mjeku ka urdhëruar transportin në Tiranë dhe pas ndërhyrjeve vajza ka gjetur vdekjen e saj.
e.r/NOA